Rreth 350 kilogramë lëndë narkotike janë sekuestruar mëngjesin e sotëm në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, gjatë kontrollit të një trajleri në dalje nga territori shqiptar.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 06:30, gjatë kontrollit me skaner të një mjeti të deklaruar si bosh, punonjësit e doganës konstatuan një ndërhyrje në strukturën e mjetit, konkretisht krijimin e një dopio shasie, ku dyshohej se ishte fshehur lënda narkotike.
Mjeti u dërgua për kontroll fizik, ku gjatë verifikimit u zbuluan 166 pako të mbështjella, secila me peshë rreth 2.1 kilogramë, të dyshuara si “cannabis sativa”.
Sasia totale e lëndës narkotike arrin rreth 350 kilogramë.
