Tre persona janë arrestuar dhe tre të tjerë (punonjës të OSHEE-së) do të hetohen në gjendje të lirë pas një operacioni të policisë në lagjen ’10 Korriku’.
Të arrestuarit janë identifikuar si: Arvid Papajanis, Klodian Hasanaj dhe Dritan Selmani.
Gjatë këtij aksioni blutë gjetën 670 bimë kanabisi në një tunel, në oborrin e një banese të marrë me qira nga 35-vjeçari, Papajanis.
Lënda narkotike, 126 llamba, 80 paisje inventer, 31 panele led dhe 17 filtra ajri u sekuestruan si provë materiale.
“Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 126 llamba, 80 pajisje inventer, 31 panele LED dhe 17 filtra ajri, që shërbenin për kultivimin dhe tharjen e fidanë dhe bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër dhe K. H., 30 vjeç, banues në fshatin Degë, Tropojë, të cilët u kapën në ambientet e tunelit.
Gjithashtu, u vu në pranga shtetasi D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër, si dhe nisi hetimi për shtetasit D. P., 32 vjeç, M. H., 35 vjeç dhe F. V., 23 vjeç, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi policia.