Pjesë e grupit që mashtronte përmes Call Center-ave, GJKKO lë në burg italianin: S’kisha dijeni për skemën

Aktualitet

Publikuar: 17/02/2026

Pjesë e grupit që mashtronte përmes Call Center-ave, GJKKO lë në burg italianin: S’kisha dijeni për skemën

Gjykata e Posaçme vendosi “arrest në burg” për italianin Cosimo Notaristefano, i cili u arrestua në kuadër të aksionit të SPAK kundër një call center-i të dyshuar për mashtrime financiare, në një nga kullat e Tiranës.

Mësohet se para togave të zeza, Notaristefano tha se ka qenë i punësuar dhe se nuk kishte dijeni për skemën që pretendon SPAK. Ai u shpreh se bënte shërbim teknik, dhe se nuk ka patur funksion mbi investimet që bënin shtetasit e huaj.

Notaristefano parashtroi në gjykatë se vuan nga probleme të shumta shëndetësore dhe kërkoi çdo masë tjetër, përfshirë vënien e garancisë pasurore, përveç arrestit në burg.

Italiani tha se nuk ishte në dijeni që ndodhej në kërkim dhe ishte nisur të shkonte në vendin e tij, siç bën një herë në dy muaj.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 persona të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.

Ndërsa janë shpallur në kërkim 3 vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj. Njëri prej tyre, Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro” me objekt Call Center, Telemarketing.