Policët në Rinas gjejnë dhe kthejnë çantën me 1000 euro – Proda: Ky veprim rrit besimin e qytetarëve tek ne

Aktualitet

Publikuar: 14/02/2026

Policët në Rinas gjejnë dhe kthejnë çantën me 1000 euro – Proda: Ky veprim rrit besimin e qytetarëve tek ne

Dy punonjës të Policisë së Shtetit, jashtë orarit të shërbimit, kanë gjetur dhe kthyer një çantë me 1000 euro, dokumente personale dhe një telefon celular, duke u vlerësuar për veprimin e tyre edhe nga drejtori i Policisë Ilir Proda.

Bëhet fjalë për punonjësit Klejdin Lleshajn, efektiv i Qarkullimit Rrugor Lezhë, dhe Durim Xhakajn, efektiv i Qarkullimit Rrugor Shkodër, të cilët mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, në rrugën e Rinasit, teksa po ktheheshin me familjarët e tyre nga Tirana drejt Lezhës dhe Shkodrës, gjetën një çantë të humbur në rrugë.

Brenda saj ndodheshin dokumente identifikimi, 1000 euro dhe një celular, që i përkisnin një 34-vjeçari nga Kavaja, i kthyer nga Italia. Nëpërmjet pasaportës dhe rrjeteve sociale, policët arritën të identifikojnë dhe të kontaktojnë pronarin, duke ia dorëzuar sendet e humbura.

Për këtë veprim, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, u ka dërguar një mesazh falënderimi, duke vlerësuar integritetin, humanizmin dhe përgjegjësinë e treguar prej tyre, edhe pse ishin jashtë shërbimit. Ai theksoi se ky veprim forcon besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit dhe nderon uniformën e saj. 

“Të nderuar kolegë. Ju përgëzoj dhe ju vlerësoj maksimalisht për veprimin tuaj, i cili mbart në vetvete qytetarinë, humanizmin, integritetin dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrës.

Pavarësisht se ishit civilë, jashtë orarit të shërbimit, me veprimin tuaj treguat integritet dhe dëshmuat edhe njëherë se mijëra djem e vajza, gra dhe burra që shërbejnë në radhët tona nuk janë ashtu siç tentojnë t’i përbaltin, por janë njerëz që sakrifikojnë me ndershmëri për ligjin dhe qytetarin.

Ky veprim rrit besimin e qytetarëve, pa të cilin misioni ynë do të ishte i cunguar. Mirënjohje për ju kolegë dhe për çdo punonjës të Policisë me integritet që nderon uniformën e Policisë së Shtetit”, tha Proda.