Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku paraqiti sot në Komisionin e Ekonomisë propozimin e saj për akcizën e diferencuar për prodhuesit e vegjël të birrës dhe të produkteve artizanale.
Në Komisionin e Ekonomisë, ajo tha se kjo masë synon të mbështesë prodhuesit vendas, të rrisë konkurueshmërinë dhe të nxisë investimet në industrinë artizanale të birrës në Shqipëri.
Sipas saj, në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, parashikohet ndryshimi i një tatimi për të përcaktuar disa kritere të reja sa i takon birrave artizanale, me qëllim mbrojtjen e prodhimeve “Made in Albania”, nga rënia e euros apo dhe ekonomia informale.
“Sot janë publikuar të dhënat edhe për raportin import- eksport, që është raporti më negative që ka pasur Shqipëria vitet e fundit 5.6 mld lekë. Eksportet shqiptare praktikisht po vdesin, po vdesin eksportet e fshatit, po vdesin eksportet që vinin nga produktet fason, por po vdesin edhe produktet artizanale “Made in Albania”, duke përfshirë edhe produktin e birrarive të vogla, që unë kam marrë si rast konkret për reduktimin e akcizës.
Kjo vjen si rezultat i dy elementëve kryesorë. Elementi i pari lidhet me zhvlerësimin e Euros, çka është diskutuar gjerësisht në këtë komision. Zhvlerësimi i Euros është duke nxjerrë sot nga tregu biznese të tëra që tradicionalisht kanë operuar në Shqipëri. Po lidhet me impaktin që ka politika e gabuar të taksave. Taksa të cilat shpesh herë vendosen si gjobë ndaj bizneseve të vogla. Ndërkohë për oligarkët, kanë favore fiskale. Këto janë gjoba për bizneset që prodhojnë në Shqipëri.
Imputet doganore tatohen nga 5-15% në Shqipëri ndërkohë që Kosova i ka zero. Si mund të konkurrojnë produktet shqiptare duke qenë se që në momentin që vjen imputi ai fillon paguan taksën. Shqipëria ka taksën më të lartë.
Janë gjithsej 9 birrari të vogla që prodhojnë 3895 hekto litra dhe këto tatohen si prodhues të mëdhenj. Propozimi ka në bazë reduktimin e akcizës dhe kthimin në një regjim sic ishte më parë, që kishte 10 mijë hekto litra, unë them mund ta bëjmë edhe 5 mijë, dhe janë produkte artizanale shqiptare, që kur vjen turisti blen këtë produkt. Këto duhet të ishin baza për të rritur turizmin tonë.
Ndryshimet e akcizës për prodhuesit e vegjël, nuk është privilegj, por standard europian. Për mua kjo është taksë fiskale që u vihet bizneseve”, tha ajo.