Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me tragjedinë që ndodhi në Lucca, Itali, ku katër anëtarë të një familje shqiptare humbën jetën si pasojë e një rrjedhjeje të gazit.
Viktimat janë: Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 42 vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar, 23 vjeç, dhe Xhesika, 15 vjeçe. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, u lëndua dhe po merr trajtim në spital.
Tragjedia ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, më 4 shkurt 2026, ndërsa dyshohet se shkak ishte një defekt në kaldajën e banesës trekatëshe të tyre.
Sipas autoriteteve, gjatë hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit kanë gjetur tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.
Alarmin e ka dhënë pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve të shumta, ata u detyruan të thyejnë derën.
Brenda banesës, forcat e rendit u përballën me një skenë dramatike, katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.