Zbythet Berisha pas presionit të 10 deputetëve të PD që i dolën kundër, do marrë pjesë në komisionet e reformave, bie alibia e humbjes së zgjedhjeve të ardhshme

Kryesore

Publikuar: 02/02/2026

Zbythet Berisha pas presionit të 10 deputetëve të PD që i dolën kundër, do marrë pjesë në komisionet e reformave, bie alibia e humbjes së zgjedhjeve të ardhshme

PD refuzoi thirrjen e fundit të socialistëve për t’u ulur si të barabartë në Komisionin e Reformës Territoriale. Në kohën që PS kishte thirrur mbledhjen e komisionit, Sali Berisha tha se nuk bashkëpunon me Edi Ramën, përsa kohë bllokon drejtësinë për çështjen ”Balluku” i mblodhi në seli të vetët, nga ku njoftoi edhe planin e demokratëve.

Por, në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së, kryedemokratit Sali Berisha i kanë dalë kundër disa deputetë për vendimmarrjen e bojkotit të reformave. Deputetët Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu, Arjan Ndoja, Luan Baçi, Bledi Himci, Bujar Lekaj dhe Eno Bozdo, kanë deklaruar se duhet të merret pjesë në komisione për reformat zgjedhore e territoriale.

Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo nuk na dëgjojnë, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik“, tha Ina Zhupa. 

Ndërkaq, kundër bojkotit është pozicionuar edhe deputeti Eno Bozdo.

Që ata do bejnë çfarë duan ata, ne këtë e kemi të qartë, por ne duhet të shfrytëzojmë pjesemarrjme tonë për të ‘grisur’ reformën që kanë bërë deri më sot”, tha Eno Bozdo.

Deputeti Bledjon Nallbati gjithashtu është shprehur kundër vendimit të Sali Berishës për të bojkotuar komisionet e posaçme, atë të Zgjedhores dhe Territoriales. Në mbledhjen e grupit parlamentar me dyer të mbyllura, Nallbati ka thënë se nëse bojkotohen komisionet, atëherë duhet që PD të mos shkojë as në parlament.

Jemi bere si filmi ‘Dy herë mat, edhe akullore edhe çokollatë’, shkojmë në parlament, nuk shkojmë në dy komisionet më të rëndësishme. Nëse shkojmë me idenë qe Edi Rama s’na jep asgjë, më mirë mos të shkojmë në parlament fare. Duhet shkojmë të shpalosim atje opsionin tonë për qytetarët, pastaj nëse zgjedhim variantin e bojkotit, të bojkotojmë çdo gjë, të shkojmë në grevë, në përshkallëzime më të mëdha. Nuk shkon të shkojmë në komisione të tjera e jo te reformat, duhet të ndajmë mendjen”, tha Nallbati.

Edhe Tritan Shehu i ka dalë kundër Sali Berishës, i cili kërkon të vijojë bojkoti i komisioneve të posaçme, të Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale.

Asnjë prej nesh nuk do bojkot, në kushtet kur mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte të parlamentarizmit detyrohesh të marrësh qëndrime ekstreme”, mësohet të ketë thënë Tritan Shehu.

Më herët, deputeti Bujar Leskaj u shpreh kundër bojkotit të komisionit të ndarjes territoriale.

Nëse ne, si Parti Demokratike, nuk i shkojmë deri në fund rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale, i japim një mundësi të dytë qeverisë së sektit Rama për ta deformuar edhe më tej këtë reformë, me efekte tërësisht jashtë interesit të qytetarëve. Gabimi i dytë është gjithmonë më i madh se i pari. Kjo reformë nuk duhet të realizohet pa praninë dhe kontributin e anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët janë profesionistë të aftë dhe të respektuar. Rishikimi i saj duhet të korrigjojë gabimet e bëra në vitin 2014, në respekt të plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe për të cilën ne si Parti Demokratike e kemi detyrim dhe zotim për të vazhduar“, shkroi Leskaj.

Në kushtet e këtij presioni, Sali Berisha ka vendosur të tërhiqet nga bojkoti si një alibi për humbjen e zgjedhjeve të ardhshme. Lajmin e zbythjes e ka dhënë deputeti Luçiano Boçi, i cili pas mbledhjes me dyer të mbyllura mes demokratëve, u shpreh se PD-ja do të vijojë të jetë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Po ashtu, ai tha se nuk do të bojkotohet as Komisioni për Reformën Territoriale.

Qëndrimi i PD-së, pas diskutimeve në Grupin Parlamentar dhe në Kryesinë e Vogël, është që PD-ja vazhdon dhe do të vijojë të jetë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Do të vazhdojmë me axhendën e komisionit, e cila ka mbetur në momentin e zgjedhjes së sekretarit të komisionit. Nuk do ta bojkotojmë komisionin”, tha Boçi.