Ish-Komisioneri Publik, i ndjeri Darjel Sina, ka qenë kundër kalimit në Vetting të Gjyqtares së Posaçme, Irena Gjoka. Sina u emërua më pas si anëtar i Gjykatës së Lartë, për t’u pasuar në detyrë nga komisionerja Irena Nino. Kjo e fundit, me një vendim të beftë dhe të orkestruar nga klanet në gjyqësor, e ka tërhequr ankimin, duke bërë që vendimi i konfirmimit në detyrë të mbetej në fuqi.
Vox News ka siguruar ekskluzivisht vendimin e ish-Komisionerit Pubik, të datës 12 qershor të vitit 2020, me numër 204\5, i cili bën ankim kundër vendimit me numër 241, të datës 26 shkurt 2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Irena Gjoka. Por, ky vendim çuditërisht është zhdukur, për t’u pasuar nga një tjetër vendim, i cili kërkonte që Gjoka të mbetej në detyrë.
Një paradoks tepër i madh, madje në radhët e institucioneve të “drejtësisë së re”, të cilat dita-ditës po zhyten në skandale të patjetërsueshme, me emërime dhe falsifikime dokumentesh. Të krijuara për të pastruar radhët e gjyqtarëve, prokurorëve e ndihmësve ligjore, anëtarët e këtyre institucioneve kanë vepruar në shumë raste në mënyrë tepër të dyshimtë, siç është edhe ky rast, ku një vendim pasohet nga një tjetër, me një përmbatje të ndryshme.

Faksimile: Vendimin i ish-Komisionerit Pubik që bën ankim kundër vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Irena Gjoka
Nëse Sina kërkonte shkarkimin e gjyqtares Irena Gjoka, Nino vendosi që t’a rikonfirmonte. Në vendimin e ish-Komisionerit Pubik, i cili u emërua në vitin 2022 si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, jepen të dhëna se vendimi i KPK-së ka qenë i gabuar, për t’a konfirmuar në detyrë.
Ish-Komisioneri shkruan se “kanë rezultuar rrethana dhe fakte të provuara, se subjekti për kriterin e pasurisë, nuk ka dhënë prova konkrete dhe shpjegime bindëse lidhur me burimin e krijimit të pasurive të subjektit dhe personave të lidhur me të, dhe ka kryer deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme ndër vite, si dhe rezulton me mungesë të burimeve të ligjshme financiare”.
Sipas tij, gjyqtarja ka deklaruar të dhëna të pasakta për një apartament, pasi në një rast shkruan se ka marrë 2 miionë lekë hua dhe një vit më vonë ka deklaruar se këtë detyrim ia ka vëllait. Madje, është gjetur pasaktësi edhe në deklaratat e mëvonshme, teksa gjyqtarja Gjoka do të shkruante se ka kesh 1.7 milionë lekë.
“Ka qenë një interpretim i gabuar i ligjit nga ana ime në vitin 2004” ka deklaruar ajo, pa u verifikuar më pas nga KPK-ja. “Komisioneri Publik vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar kursimet e poseduara në cash në DV-2004, dhe si rrjedhojë nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme burimi i shumës 1.700.000 lekë” thuhet në dokument. Në një rast tjetër gjyqtarja ka deklaruar se ka kursyer kaq shumë nga pagat për shkak se në atë kohë, 2005-ën, jetonte me prindërit dhe s’ka kryer shpenzime jetike.
Gjyqtarja ka deklaruar se ka marrë para edhe nga një ullishte në qytetin e Patosit, por Komisioneri ka deklaruar se nuk ka prova se ka përfituar dhe ka nxjerrë para’ nga kjo pronë.

Faksimile: Vendimi i ish-Komisionerit Publik, Darjel Sina, që kërkonte shkarkimin e gjyqtares Irena Gjoka. Vendimi është zhdukur
Ish-komisioneri i ka faktuar edhe një tjetër gënjështër gjyqtares Irena Gjoka. “Subjekti nuk ka qenë i saktë në deklarimin e gjendjes cash ndër vite, pasi ajo nuk ka deklaruar shumën 1.000.000 lekë” shkruhet në vendim. Madje, gabime trashanike ka edhe për blerjen e një automjeti. Komisioneri i faktoi edhe një tjetër transaksion prej 34.500 USD, ku bashkëshorti i gjyqtares do të hynte në biznesin e lojërave të fatit.
“Bashkëshorti im do të bashkëpunonte me z. * dhe z. *.* në fushën e aktivitetit lojëra-fati, fushë në të cilën ka operuar edhe me një shoqëri dhe kishte eksperiencë të mëparshme. Kjo shumë 34.500 USD u sigurua nga një mik i bashkëshortit tim, më pas i është kthyer pronarit të saj, brenda po atij viti” do të deklaronte Gjoka.
Në fund, ish-Komisioneri Publik ndante gjykim të kundërt me KPK-në, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë. “Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 241, datë 26.2.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, zonjës Irena Gjoka” shkruante ish-Komisioneri Publik Darjel Sina.

Faksimile: Prokura e Irena Gjokës (Manekut) për të autorizuar një avokat grek për t’a përfaqësuar
Disa ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme ka faktuar se gjyqtarja Irena Gjoka ka mashtruar në procesin e dekriminalizimit. Ajo ka fshehur dhe ka gënjyer organet e drejtësisë, teksa ka shkruar në formular se s’ka qenë e hetuar, dënuar apo dëbuar nga një shtet tjetër.
Sipas një dokumenti (më sipër), që është një prokurorë përfaqësimi, vetë gjyqtarja e ka pranuar vite më parë se ka autorizuar një avokat grek për t’i hequr masën ndëshkuese. Ndërkohë, më vonë në një shkresë dërguar KLGJ-së ka pranuar dënimin dhe ndalimit për të hyrë në Greqi.
/Voxnews