Policia e Lezhës ka zhvilluar një operacion mbrëmjen e kaluar, duke zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit në kushte të mbyllura.
Aksioni u krye në një magazinë pranë kryqëzimit të fshatit Tresh, në superstradën Lezhë–Milot.
Gjatë kontrollit, u konstatua se magazina ishte e pajisur me llampa dhe infrastrukturë të posaçme për kultivim.
Brenda saj u gjetën dhe u sekuestruan rreth 1 mijë rrënjë kanabisi, të cilat ishin në proces kultivimi.
Si rezultat i operacionit, policia ka arrestuar disa persona të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari të paligjshme.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të lidhur me rastin.