Nëna e tre fëmijëve të mitur në burgun e Ponjkës, me të dhe foshnja 1-vjeçe! Nesër seancë urgjente në Gjykatën e Tiranës. Begaj vë në dispozicion faljen presidenciale

Kronike

Publikuar: 22/07/2026

Nëna e tre fëmijëve të mitur në burgun e Ponjkës, me të dhe foshnja 1-vjeçe! Nesër seancë urgjente në Gjykatën e Tiranës. Begaj vë në dispozicion faljen presidenciale

Në krevatin e vendosur brenda ambienteve të posaçme të burgut të Ponjkës në Pograde do të kalojë sonte natën një foshnje vetëm 1 vjeç. I vogli i është dërguar nënës së tij 34-vjeçare, e cila u transferua në qeli një ditë më parë pasi ndaj saj rëndon një dënim i formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Tiranës për dhunë në familje.

Nëna, disa ditë më parë hyri në Shqipëri nga pika kufitare e Muriqanit, tekksa kthehej me familjen e saj nga Germania, në padijeni totale për dënimin e saj. Me të mbërritur në shtëpi, kthimin e të resë e mëson oficeri i policisë që mbulon zonën ku ajo banonte dhe e telefonin duke e vënë në dijeni për vendimin e gjykatës, duke i kërkuar të paraqitej në Komisariatin nr. 6 në kryeqytet.

Vullnetarisht 34-vjeçarja me emrin Dorina paraqitet vetëm pak orë më pas, me foshnjën 1-vjeçe, e shoqëruar nga bashkëshorti. Dy fëmijët e tjerë të mitur, më i madhi 7-vjeçar e tjetri 2-vjeç e gjysmë ishin lënë në banesë.

Duke qenë se uniformave blu u dilte në sistem dënimi i formës së prerë për 34-vjeçaren, ajo u dërgua në ambientet e bllokut të sigurisë në Tiranë, dhe vetëm pak orë më pas vjen një urdhër ekzekutimi nga prokuroria dhe e reja niset menjëherë drejt burgut të grave në Pogradec. Në këtë interval kohor djalë vetëm 12 muajsh është sjellë te nëna për t’u ushqyer me gji nga gjyshja e tij.  

Në Ponjske autoritetet ia dërguan vetëm 24 orë më pas djalin 1-vjeçar, i shoqërtuar nga babai i tij, ndërkohë që dy të vegjlit e tjerë mbetën sërish në shtëpi, pa nënën.

Dënimi për të cilin Report Tv mëson ekskluzivisht se ka marrë formë të prerë vetëm muajin e kaluar lidhet me një ngjarje të disa viteve më parë, për një rast dhune në familje, konflikt i të resë me vjehrrin e saj. I gjithë procesi ka qenë në mungesë dhe 34-vjeçarja nuk është paraqitur në asnjë seancë gjyqësore.

Kjo mungesë është konsideruar nga gjykata si largim nga drejtësia dhe e ka dënuar të renë me burgim, duke mos i dhënë të drejtën e shërbimit të provës. Për këtë arsye ajo nuk ka mundur të përfitojë as nga të dyja amnistitë e këtyre viteve, atë të 2024-s dhe nga kjo e fundit e para pak javëve.

Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se nisur nga situata e veçantë, Gjykata e Tiranës ka vendosur një seancë urgjente, nesër ora 10:45, për të shqyrtuar kërkesën e 34-vjeçares për rivendosje në afat të çështjes gjyqësore. Pra prishje të vendimit të formës së prerë së Apelit dhe ridërgimin e çështjes në të njëjtën gjykatë, për shkak se procesi është bërë në mungesë. Kjo do ta lironte menjëherë nënën e tre fëmijëve të mitur.

Përveç opinionit publik për ngjarjen kanë reaguar edhe institucionet më të larta në vend. Avokati i Popullit Shabani ka vizituar nënën në ambientet e burgut, dhe kërkoi një hetim të hollësisshëm nga institucionet për çfarë ka ndodhur. Burime nga Presidenca i thanë Report Tv se edhe kreu i Shtetit është interesuar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Sipas të njëjtave burime Begaj ka vënë në dispozicion edhe faljen presidenciale që çështja të zgjidhet menjëherë.

Sa i përket foshnjës, që ndodhet në ambientet e burgut të Ponjskës, Report Tv kontaktoi me autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët garantuan se kushtet janë optimale