Edi Rama ka ironizuar deklaratat e opozitës, ku një pjesë e përfaqësuesve të saj thoshin se ushtria amerikane do e merrte kryeministrin shqiptar me helikopter si diktatorin e Venezuelës, Nicolas Maduron.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke qenë se diçka e tillë nuk ndodhi, Rama me ironi i kërkoi opozitës ta çojë në SPAK ushtrinë amerikane.
“Çojeni në SPAK se tani që ushtria amerikane e anuloi hyrjen me helikopter në Kryeministri, SPAK është stacioni i fundit i rrugës tuaj për pushtet. Unë nervoz? Unë kam pasionin e atij që sheh sesi të gjitha kurthet në pyll janë plotë… Por për ato kurthe duhet durim. Prandaj sa më shumë më thoni Ramaduro, unë aq më shumë e dëgjoj Ramaduro se këtë punë ke me këta. Prandaj hiqeni Ramaduro se më shtoni durimin. Mua më ka ardhur radha aq herë sa edhe ata 5 mijë veta që ju vinin, janë bërë tani si lekët e vjetra. Por ju fituat edhe për një arsye tjetër. Ndalët pushtimin e Shqipërisë nga palestinezët”, tha mes të tjerash Rama.