Jani Aliaj, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, është ekzekutuar sot në burgun e sigurisë së lartë të Koridhalos në Greqi.
49-vjeçari nga Tepelena, i arrestuar në Greqi më 31 dhjetor 2024, u vra brenda ambienteve të burgut pasi u godit disa herë me thikë nga një i burgosur grek. Ngjarja ka ndodhur në sektorin 3 të burgut të Koridhalos. Autori i dyshuar rezulton gjithashtu i dënuar për vrasje.
Policia greke dyshon se vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj në burgun e sigurisë së lartë të Koridhalos është kryer me pagesë. Autori i dyshuar është një 28-vjeçar grek, i konsideruar si vrasës me pagesë, i cili rezulton i përfshirë edhe në një tjetër ekzekutim të bujshëm.
Sipas autoriteteve greke, bëhet fjalë për të njëjtin person që më 18 gusht 2025 ekzekutoi me armë zjarri 47-vjeçarin nga Gjirokastra, Artur Bashimi. Ngjarja ndodhi në zonën Agio Panteleimona në Athinë.
Artur Bashimi, ish i dënuar për vjedhje, dyshohet se u vra për motive hakmarrjeje, në lidhje me aktivitetin kriminal të vëllait të tij, Marsel Bashimi. Ky i fundit rezulton i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale në Greqi, në bashkëpunim me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të dy të kërkuar në Shqipëri për vrasjen e Komisar Artan Cukut.
Autoritetet greke dyshojnë se edhe ekzekutimi i Jani Aliajt është porositur nga jashtë burgut dhe është kryer kundrejt pagesës. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Aliaj është goditur dy herë me thikë brenda qelisë së tij.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrjetin kriminal që qëndron pas këtyre vrasjeve dhe për të identifikuar porositësit e mundshëm të ekzekutimeve.

Artur Bashimi
Dy burgime përjetë
Jani Aliaj ishte i dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për vrasjen e biznesmenit Elton Çiço, ngjarje e ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Sipas hetimeve, Aliaj hyri i maskuar me paruke në lokalin “De Niro”, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, ku qëlloi për vdekje Çiçon në tavolinën ku ndodhej në shoqërinë e disa personave të tjerë. Pas krimit, ai arriti të largohej dhe u shpall në kërkim për vrasje për hakmarrje.
Në lidhje me këtë ngjarje, Renato Milloshi u arrestua dhe në vitin 2017 u dënua me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për moskallëzim krimi.
Në maj të vitit 2018, Gjykata e Tiranës e dënoi Jani Aliaj në mungesë me burgim të përjetshëm si autor i vrasjes së Elton Çiços.
Ndërsa më 9 qershor 2023, Apeli i GJKKO la në fuqi konfiskimin e shtatë pasurive në emër të familjarëve të tij: katër njësi tregtare, një ullishte dhe një vilë në Borsh, të cilat kaluan në pronësi të shtetit.
Jani Aliaj rezultonte gjithashtu i kërkuar për një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2015 në Përmet, ku gjatë një tentative për vjedhjen e një sasie të madhe marijuane mbetën persona të plagosur. Për këtë ngjarje, Aliaj akuzohej për tre vepra penale.
Në Greqi, Aliaj ishte arrestuar me identitet të rremë, Aleksan Kreshnik. Ai kërkohej nga autoritetet greke pasi ishte arratisur nga burgu i Korfuzit, ku vuante dënim me burgim të përjetshëm, si edhe 2 vite e 12 muaj burg shtesë për vrasjen e një shtetasi shqiptar, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Këto ngjarje kishin ndodhur në Athinë në vitin 2006.