Integrimi europian, Rama: 2026-a vendimtare për negociatat, rruga është pa kthim

Politikë

Publikuar: 18/01/2026

Integrimi europian, Rama: 2026-a vendimtare për negociatat, rruga është pa kthim

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se viti politik 2026 do të jetë vendimtar për procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Rama paralajmëroi se procesi i integrimit europian do të bëhet gjithnjë e më i vështirë, jo vetëm vit pas viti, por edhe muaj pas muaji, për shkak të volumit të madh legjislativ që duhet të kalojë përmes konsultimit publik, qeverisë dhe parlamentit.

“Në shënimet e këtyre ditëve, në krye qëndrojnë mbledhja maratonë e qeverisë, një traditë e fillimit të vitit, dhe një mbledhje maratonë e grupit parlamentar.
Të dyja këto takime kanë synuar vendosjen e piketave të vitit politik 2026 dhe, ndërkohë që për sa i takon mbledhjes së qeverisë puna ka qenë një punë e fokusuar te vazhdimësia, te programi dhe kalendari i zbatimit të tij sipas sektorëve, në takimin e grupit parlamentar jemi fokusuar te domosdoshmëria për të rritur kapacitetin në funksion të negociatave. Që do të thotë më shumë koordinim, më shumë ndërveprim, më shumë organizim dhe, mbi të gjitha, më shumë përqendrim te ky objektiv historik dhe strategjik për Shqipërinë.
Është e qartë dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë shumicën qeverisëse, për cilindo dhe cilëndo që është në pararojën e Partisë Socialiste, duke qenë në nivelin më të lartë të përfaqësimit, se ky proces është një proces që do të vijë duke u vështirësuar, jo më vit pas viti, por muaj pas muaji, pasi kemi të bëjmë me një volum legjislativ që kurrë më parë nuk ka kaluar filtrin vendimmarrës të Republikës së Shqipërisë, nga konsultimi publik te qeveria dhe pastaj te parlamenti. Por unë jam besimplotë dhe jam i bindur që grupi ynë parlamentar do të jetë në lartësinë e kësaj sfide, ndërkohë që kemi folur edhe për aspekte të tjera, duke dëgjuar raportimet e të gjithë komisioneve dhe njëkohësisht duke u përqendruar te disa pika kyçe.
Këto pika kyçe kanë të bëjnë me domosdoshmërinë për të rritur kapacitetin edhe në funksion të informimit të publikut, për të rritur komunikimin me, në radhë të parë, anëtarësinë dhe mbështetësit e Partisë Socialiste dhe për të rritur intensitetin e betejës me frontin e gjerë të dezinformimit që shtrihet në të gjitha 700 tenxheret politike e mediatike, të cilat bubullojnë e gërgërojnë përditë, ditë e natë, por do ta kenë të pamundur të na ndalin në këtë rrugë pa kthim drejt Shqipërisë në Bashkimin Evropian.” – u shpreh Rama.