Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për rikthimin në detyrë të Erion Veliajt

Kronike

Publikuar: 12/01/2026

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për rikthimin në detyrë të Erion Veliajt

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur këtë të hënë vendimin për rikthimin në detyrë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar shkarkimin e tij si antikushtetues.

Sipas vendimit, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e datës 25.09.2025 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të Veliaj, duke e vlerësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në arsyetimin e vendimit thuhet ndër të tjera se Këshilli i Ministrave nuk ka analizuar shkakun e mungesës në detyrë për 3 muaj të Veliajt.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave, i mbështetur vetëm në faktin e mungesës tremujore në detyrë, nuk ka analizuar shkaqet, rrethanat dhe as ndikimin e kësaj mungese në ushtrimin e funksioneve, duke mos vlerësuar nëse situata ka ardhur si pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të vetë kryetarit dhe nëse ajo mund të cilësohej shkelje e rëndë e Kushtetutës ose e ligjit.

Megjithatë, theksohet se mosparaqitja në detyrë për një periudhë të pandërprerë tremujore mund të përbëjë shkelje të rëndë në ushtrimin e detyrës nga kryetari i bashkisë, por vetëm në rastet kur ai mban përgjegjësi për këtë situatë. Ndryshe nga rasti konkret, kërkuesit nuk i është atribuuar asnjë përgjegjësi juridike. Në këtë kontekst, shkelja e rëndë lidhet me mospërmbushjen thelbësore të detyrës me vullnetin e tij, duke pasur parasysh se kryetari i bashkisë është një organ ekzekutiv monokratik”,- thuhet në vendimin e Gjykatës.