Dajat e Vasilit dhe Metës përfituan 70 milionë euro tendera publikë, korrupsion dhe pastrim parash

Kryesore

Publikuar: 08/01/2026

Dajat e Vasilit dhe Metës përfituan 70 milionë euro tendera publikë, korrupsion dhe pastrim parash

Daja i Petrit Vasilit, Rasim Hamzaraj dhe daja i Ilir Metës, Vladimir Metani, kanë përfituar mbi 70 milionë euro tendera nga qeveria e Edi Ramës dhe degët e saj.

Rasim Hamzaraj, i njohur si daja i Petrit Vasilit, ishte bashkëpronar dhe administrator i kompanisë farmaceotike Megapharma, me nipt J61814028F, themeluar 30 vite më parë.

Deri në vitin 2018, Hamzaraj kontrollonte vetë kompaninë. Nga viti 2018 deri në janar 2024, e kontrolloi kompaninë përmes bashkëshortes Monika Hamzaraj, 55 vjeçe.

Ai ia shiti aksionet bashkëshortes për 60 mijë lekë. Ndërkaq, zonja Hamzaraj i shiti më pas këto aksione për 2.3 milionë euro.

Ka dyshime të forta se shitja e aksioneve si në vitin 2018, ashtu edhe në vitin 2024, janë fiktive.

Gjatë qeverisjes së Edi Ramës, Megapharma ka marrë 1200 tendera në shëndetësi me vlerë mbi 45 milionë euro.

Megapharma e dajë Luçit, siç e thërret Vasili, është një nga kompanitë që ka përfituar më shumë tendera në shëndetësi. Mbi 600 tendera i ka marrë vetëm nga Ministria e Shëndetësisë dhe qindra të tjerë nga degët e saj.

Tenderat karakterizohen nga flamuri i kuq i korrupsionit. Një pjesë e administratës së shëndetësisë ka punuar vetëm për të kaluar paratë në llogaritë e çiftit Hamzaraj me tendera me pazar në tavolinë dhe oferta fituese gati sa fondi limit.

Me paratë e korrupsionit me tendera publikë, çifti Hamzaraj bënte dhe bën një jetë luksi, shëtitje nëpër botë, ndjekje të eventeve të modës, depërtim në rrethe VIP etj.

Teksa Rasimi tregohet i kujdesshëm për t’u mos ekspozuar, Monika nuk e fsheh luksin dhe shpenzimet marramendëse me paratë që kanë marrë në buxhetin e shtetit shqiptar, që nga veshjet firmato, aksesorë dhe udhëtime në vende ekzotike.

Vetë Vasili, përgjatë kohës që mbante postin e Ministrit të Shëndetësisë, 2009-2012, i ka dhënë tendera kompanisë “Megapharma Shpk”, në pronësi të Rasim Hamzaraj, të cilin e njohin me pseudonimin Luçi. Dhe jo pak, por 13 milionë euro tendera.

Partia Socialiste, kur ishte në opozitë, deklaronte se Vasili kishte lidhje të afërt gjaku me Hamzaraj, ai ishte djali i dajës së ministrit. Por, pasi erdhi në pushtet, PS i ka dhënë mbi 45 milionë euro kompanisë së dajës së Vasilit, para të cilat kanë shkuar për vila në rezidencat e oligarkëve dhe luks.

Daja i Metës, 25 milionë euro tendera publikë

Gjatë qeverisjes së Rilindjes, daja i Ilir Metës, Vladimir Metabi, ka marrë tendera publikë me vlerë rreth 25 milionë euro, plus miliarda lekë nënkontraktime.

Daja i Ilir Metës, Vladimir Metani, i cili ka mbledhur vota për LSI në Kamëz, i ka marrë paratë publike përmes kompanisë Desaret Company, me nipt K01816001J.

Kompania është themeluar që në vitin 1996 dhe besohet se ka marrë dhjetëra milionë euro para publike ndër vite, me ndikimin e Ilir Metës.

Metani herë ka dalë vetë si pronar, herë e ka kaluar kompaninë në emrin e shtetases Sofije Shani. Por, të dhënat tregojnë se kompania është themeluar dhe kontrollohet nga daja i Ilir Metës.

Tendera me vlerë miliona euro daja i Metës ka marrë nga disa bashki, të cilat kontrolloheshin nga njerëzit e Metës, pra nga ish-LSI-ja.