Në dhjetor të vitit 2022, kryebashkiaku i Dibrës, Rrahim Spahiu, i cili rezulton i përfshirë në abuzime të rënda gjatë detyrës, ka shpallur kompaninë COMPANY RIVIERA 2008 SHPK të tenderit me vlerë 300 mijë euro me objekt ‘sistemim asfaltim të rrugës Ura e Luznisë – kryqëzimi i rrugës së fshatit Lishan me fshatin Hotesh, Faza I’. Tenderi është shënjuar me flamur të kuq korrupsioni pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët e tjerë nga gara përveç fituesit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një auditim në Bashkinë e Dibrës. Përpos shumë problematikave dhe abuzimeve me paratë dhe pasurinë publike, ka konstatuar edhe afera të natyrë korruptive me tendera. Sipas raportit të KLSH-së, kompania COMPANY RIVIERA 2008 SHPK ka mashtruar me zbatimin e kontratës së lidhur me Bashkinë e Dibrës, duke vjedhur një pjesë të parave të tenderit përmes punimeve fiktive, pra situacioneve false.

Krahas dëmit ekonomik, për të cilin KLSH u kërkon palëve të kthejnë paratë në arkën e shtetit, kompania dhe bashkia kanë ndërtuar një rrugë të një cilësie të dobët. Administrator dhe bashkëpronar i kompanisë abuzuese COMPANY RIVIERA 2008 SHPK është Agrim Kola, 49 vjeç. Bashkëpronarë të tjerë janë Pllumb, Kujtim dhe Viktor Kola.

E themeluar në vitin 2008, kompania e ndërtimit COMPANY RIVIERA 2008 SHPK ka fituar gjatë viteve të fundit e vetme dhe në bashkëpunime tendera publikë me vlerë rreth 80 milionë euro. Nga viti 2020, kompania e tenderave të manipuluar ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 28 milionë euro, në zbatim të kontratave me institucionet publike.

Referuar raportit të KLSH dhe disa indicieve të tjera ngrihen dyshime se kryebashkiaku i Dibrës, Rrahim Spahiu ka krijuar një skemë korruptive me tendera. Pjesë e kësaj skeme është edhe Musa Sleami me kompaninë e ndërtimit Selami shkp. Selami ka fituar tendera nga Rrahim Spahiu pa plotësuar kriteret e shpallura nga autoriteti kontraktor.