Zbardhet dosja e ekzekutimit të Mondi Mëhallës në Elbasan

Kronike

Publikuar: 07/01/2026

Zbardhet dosja e ekzekutimit të Mondi Mëhallës në Elbasan

Mondi Mëhalla kishte qenë një biznesmen i padëgjuar deri mbrëmjen kur një armë u drejtua drejt trupit të tij dhe e la të vdekur, pranë një karburanti në lagjen ‘Emin Matraxhiu’ në Elbasan, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij.

Një ngjarje e cila shokoi fillimisht motrën e tij e cila rendi e para drejt makinës në të cilën ndodhej tashmë i pajetë i vëllai i saj, i qëlluar nga një dorë e afërt, që kishte mundur të avitej pranë makinës së tij dhe ta godiste në befasi, pa i lënë mundësi shpëtimi dhe një krim që në kontekstin e qytetit ku ndodh, ku bandat kanë bërë gjithmonë ligjin, ngriti menjëherë dyshimet rreth vetë personalitetit të ndërlikuar të viktimës.

Ai njihej gjerësisht edhe në kartelat e policisë, si një personazh me një të shkuar jo shumë të ndritur përsa i përket figurës së tij.

Edmond Mëhalla që mbante edhe gjeneralitet Hyka, i cili kishte një biznes në Unazën Jugore të qytetit të Elbasanit, aty ku edhe u qëllua për vdekje në makinën e tij ‘Range Rover’ siç shikohet edhe në këto pamje nga një person i maskuar që i afrohet qetësisht dhe e godet në trup pa iu dridhur dora. Mondi Mëhalla që thuhet se ishte shok i ngushtë me Kei Piun, një personazh me precedent të theksuar penalë që i shpëtoi edhe një atentati të organizuar nga grupi i Talo Çelës, në vitin 2020.

Viktima që kishte në pronësi disa biznese, midis të cilëve ‘Hollyvood Lounge Bar’ si dhe një pikë karburanti të quajtur ‘Xhaxhi Oil’ si dhe një kompani taksish me emrin ‘El Taxi’.

Por ajo që duket se i shpërqëndroi në fillim hetimet dhe pistën kryesore të eleminimit të tij, ishin e shkuara e tij problematike me ligjin, ku kishte qenë i përfshirë në aktivitete që lidheshin me drogën, si edhe fakti që krimi ishte kryer vetëm 50 metra larg një tjetër masakre të ndodhur në Elbasan, atë ndaj Çapjave në vitin 2016, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë, si edhe në shqetësimet që i kishin ardhur atij kohët e fundit nga bashkëpronësia në një prej bizneseve.

Përplasje e cila kishte përfunduar deri në konflikt fizik midis tij dhe një prej ortakëve, për një shumë prej 700 mijë eurosh.

Por para se të shkojmë te kjo pistë dhe dyshimet që grupi hetues ka lidhur mbi arsyet e vërteta që çuan në eleminimin e Mondi Mëhallës, le të ndalemi fillimisht te dinamika se si u zhvillua krimi.

Dhe pse grupi hetues beson se vrasja e 43 vjeçarit, është e lidhur me problemet që ai kishte së fundmi me ortakërinë në një prej bizneseve të tij.

Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, njoftimi i parë për një vrasje të ndodhur pranë një karburanti në rrugën ‘Emin Matraxhiu’ në Elbasan, mbërriti në sallën operative të policisë së këtij qyteti në orën 20.30 të mbrëmjes së datës 30 Nëntor 2025.

Ku thuhej se brenda një automjeti tip ‘Range Rover’, me ngjyrë kafe të hapur, në vendin e parë të drejtuesit të mjetit ndodhej trupi i një personi të qëlluar me armë zjarri.

Policia e cila nuk vonoi dhe mbërriti në vendngjarje, por nuk pati asnjë mundësi të ndihmonte personin e qëlluar brenda mjetit, i cili mesa duket kishte ndërruar jetë menjëherë.

Person që shpejt u identifikua si Mondi Mëhalla dhe krimi kishte ndodhur pikërisht në parkingun e karburantit në pronësi të tij.

Më datë 30 Nëntor 2025, rreth orës 20.30, Salla e Komunikimit në Drejtorinë Vendore të Policisë në Elbasan ka marrë njoftim, se në vendin e quajtur Karburant ‘Xhaxhi Oil’, në lagjen ‘Emin Matraxhiu’, Elbasan, është vrarë me armë zjarri shtetasi Mond Mëhalla (Edmond Hyka). Ku pas shkuarjes në vendin e ngjarjes, që ndodhet në unazën perëndimore të qytetit, dhe kqyrjes së automjetit ‘Range Rover’, ngjyrë mjalti, me targa AB 044 RV, u konstatua një gëzhojë armë zjarri, kalibër 9 mm, si dhe në anën veriore në trotuar u gjend dhe u fikësua një tjetër gëzhojë me të njëjtat karakteristika. Si edhe katër gëzhoja të tjera në distanca të ndryshme, edhe këto me të njëjtat karakteristika si me të parat.

Por këto sipas aktekspertimit paraprak, ishin vetëm gëzhojat që u gjendën jashtë automjetit të viktimës pasi kqyrja e vetë automjetit ‘Range Rover’ do të zbulonte edhe mënyrën se si viktima ishte qëlluar si edhe largësinë nga ku ishte goditur nga ku rezultoi se Mondi Mëhalla sapo kishte ndezur automjetin e tij dhe po bëhej gati të lëvizte kur atentatori iu afrua dhe e qëlloi.

Ndërsa xhamat e makinës ndodheshin të mbyllur, çka të çon në mendimin se ai nuk e ka parë qitësin e tij. Edhe pse automjeti siç shikohet edhe nga pamjet filmike bën disa metra pas, me siguri pasi drejtuesi ka humbur kontrollin e tij.

Nga kqyrja e automjetit ‘Range Rover’ del se në anën e majtë konkretisht në xhamin e derës së parë vihen re tre dëmtime, të cilësuara vrima hyrje, ku dy janë afër me njëra tjetrën, dhe vrima e tretë është 7 cm nga korniza anësore e derës.

Këto vrima janë me diametër 8-9 mm me krisje radiale përreth xhamit.

Dy dëmtimet e para që ndodhen pranë njëra tjetrës duken që kanë nga dy goditje të njëpasnjëshme në të njëjtin vend.

Po kështu në anën tjetër të automjetit në derën e parë të pasagjerit u konstatua një dëmtim në xham, vrimë dalëse me lartësi 16 cm nga korniza e poshtme e derës.

Ku gjatë kqyrjes automjeti rezultoi në gjendje të ndezur, me dyer dhe xhama të mbyllur, pa siguresë.

Dhe pasi u fik, gjatë kontrollit në pjesën e brendshme, në mbështetësen e shoferit u gjend dhe një aparat celulari Iphone me ngjyrë të zezë në gjendje të ndezur, i mbyllur me kod. Po kështu tek dera e pasme e krahut të djathtë, poshtë dorezës, në tapiceri u gjet një vrimë dëmtimi si dhe një predhë armë zjarri e cila u sekuestrua.

Pra nga sa shikohet edhe nga ekspertiza paraprake e makinës, dhe qitjet që ai kishte kryer, autori e kishte qëlluar fillimisht viktimën, në këtë rast Mondi Mëhallën, me dorën drejtuar drejt xhamit të parmë të tij.

Ku dy qitjet e para ishin të njëjta.

Kjo bazuar edhe në vrimat tejshpuese të mbetura në xhamin e automjetit ‘Range Rover’ në pronësi të viktimës. Plumba ndryshe nga sa u tha në fillim se e kishin kapur në kokë shënjestrën e atentatit, në fakt sipas ekspertizës mjekoligjore e kishin kapur në trup 43 vjeçarin. Por që kishin rezultuar fatalë për jetën e tij, pasi e kishin kapur në organe jetësore.

Sipas dinamikës të përcaktuar në vendngjarje, automjeti ‘Range Rover’ ndodhet para një automjeti tjetër me ngjyrë të bardhë, të cilin e ka goditur nga pas, ku ka dëmtuar prapakolpin. Nga përpunimi me pluhur alumin në kornizën e derës së shoferit u gjetën dy gjurmë papilare. Por nuk u konstatua asgjë tjetër për t’u shënuar.

Ndërkohë që në vijim nga kqyrja e kufomës në morgun e Spitalit Rajonal të Elbasanit, u konkludua se kufoma është e seksit mashkull me gjatësi 186 cm, dhe se në pjesën e sipërme të trupit ka të veshur një bluzë pambuku me mëngë të shkurtra ngjyrë kafe e cila ka një vrimë në anën e majtë të sipërme të përparme. Si dhe një xhup fëshfëshe ngjyrë të zezë, ku në shtresat e brendshme u gjend një copëz metal me ngjyrë të verdhë si materiali i këmishës së predhës së plumbit.

Po kështu gjatë kontrollit të kokës, u pa se nuk kishte dëmtime dhe viktima mbante flokë të qethur shkurt.

Ndërsa në anën e majtë të trupit u vunë re, tre plagë depërtuese, në pjesën torakale të trupit.

Ku në mesin e shpatullave në afërsi te shtyllës kurrizore, pjesa torakale, u konstatuan dy plagë te tjera.

Pra nga sa kuptohet Mondi Mëhalla ishte goditur në anën e ijes së tij dhe plumbat të cilët ishin tre të tillë e kishin goditur në pjesën e mushkërisë, duke hyrë tangent në trup, nga ana e majtë e tij, që përkon edhe me vrimat tejshpuese që u evidentuan gjatë kontrollit të makinës nga ekspertët kriminalistë në vendngjarje.

Ku një nga plumbat nuk kishte mundur të dalë nga trupi, ashtu si dhe një tjetër në pjesën muskulore në anën e djathtë të përparme të kraharorit, ku u gjend një këmishë predhe fisheku.

Por që siç ndodh në të tilla krime, edhe në vrasjen e Mondi Mëhallës, autorët vendosën të djegin mjetin me të cilin kryen vrasjen.

Ky automjet u gjet i shkrumbuar jo shumë larg vendit të ngjarjes në zonën e Mirakës, në aksin Elbasan-Librazhd, vetëm 30 minuta pasi ishte konsumuar krimi. Makina tip ‘Audi’ brenda të cilit u gjend edhe një armë pistoletë dyshohej se ishte përdorur në ekzekutimin e biznesmenit 43 vjeçar.

Gjatë hetimeve u bë edhe kqyrja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë të pikës së karburantit ’V*****’, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

Si edhe të pikës së karburantit ‘K*******’, po në këtë rrugë nacionale.

Nga ku doli se në vendin e quajtur Mirakë, rreth 150 në lindje nga hotel ’B*******’, ndodhet një automjet i markës ‘Audi’ me targa AB 977 GE, plotësisht i djegur nga zjarri. Dhe brenda këtij mjeti në sediljen e pasme të pasagjerit u gjend një armë zjarri e dëmtuar plotësisht me një krehër të vendosur në të ku dallohet stampimi ‘Pietro Bereta Gardone’ VT, Made in Italy.

Dhe në vendin ku u gjet arma e zjarrit u gjendën dhe tre predha fisheku, si dhe tre copa fundore gëzhojash armë zjarri të dëmtuara.

Por si mbërriti grupi hetues te personat e dyshuar si organizatorë dhe ekzekutorë të biznesmenit Mondi Mëhalla, ku deri më tani janë kryer katër ndalime.

Konkretisht Xhino Ago, 32 vjeç, ish-ortak me viktimën në një nga bizneset e tij, në akuzë për ‘vrasje me paramendim në bashkëpunim’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.

Kujtim Pisha, 52 vjeç, roja i karburantit ‘Xhaxhi Oil’ ku ndodhi vrasja, në akuzë për ‘moskallëzim krimi’. Marsel Arani 32 vjeç dhe Armando Kola 35 vjeç.

Respektivisht personat që mendohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të çuar deri në fund planin për të ekzekutuar Mondi Mëhallën mbrëmjen e datës 30 Nëntor 2025. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim 2 persona të tjerë, të cilët mendohet të jenë ekzekutori dhe ndihmësi i tij që e largoi me makinën e zezë tip ‘Audi’.

Makinë që siç thamë u gjend e djegur vetëm 15 kilometra nga vendi i atentatit në fshatin Mirakë, në rrugën nacionale, Elbasan-Librazhd.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’ e gjithë zbardhja e dinamikës që zbulon edhe mënyrën se si u planifikua dhe u ekzekutua biznesmeni Mondi Mëhalla, nis me zbardhjen e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në aksin Lezhë-Thumanë si dhe Thumanë-Kashar, aty ku shihet të lëvizë edhe automjeti ‘Audi’ A4 i zi, i përdorur në krimin e vrasjes së 43 vjeçarit. Ky automjet vihet re të lëvizë shpesh në këtë aks rrugor midis datave 23 dhe 29 Nëntor, pra deri një ditë përpara ekzekutimit të Mondi Mëhallës.

Makinë që gjatë këtyre ditëve në drejtimin e tij vihet re shtetasi Rolando Gjoni, 27 vjeç me banim në qytetin e Lezhës.

Nga kqyrja e pamjeve filmike të lëvizjes së automjetit me të cilin është kryer vrasja e shtetasit Mondi Mëhalla, të markës ‘Audi’ A4, ngjyrë e zezë, me targa AB 977 GE, del se kjo makinë lëviz shpesh në aksin Lezhë-Thumanë dhe Kashar-Thumanë dhe anasjelltas. Konkretisht kjo makinë është kapur nga radarët në këto akse rrugore nga datat 23 deri më 29 Nëntor 2025. Ku në drejtim të këtij automjeti dyshohet se ka qenë shtetasi Rolando Gjoni, banues në Lezhë.

Do të ishte pikërisht Rolando Gjoni i cili do të rrëfente për grupin hetues edhe poseduesin e vërtetë të automjetit ‘Audi’ A4, me të cilin ai lëvizte.

Por që çuditërisht vetëm një ditë pasi ai nuk ishte parë në drejtimin e këtij automjeti, më datë 30 Nëntor 2025, pikërisht kjo makinë kishte qenë pjesëmarrëse në ekzekutimin e Mondi Mëhallës në Elbasan.

26 vjeçari që tregoi edhe personin të cilit ia kishte dhënë këtë makinë vetëm një ditë para krimit. Ose më saktë ia kishte kthyer, pasi e kishte përdorur për disa kohë.

Ky person sipas Rolando Gjonit, ishte Armando Kola.

Një nga të ndaluarit si bashkëpunëtor në krimin e vrasjes së Mondi Mëhallës

Roland Gjoni që ishte parë me këtë makinë edhe në kamerat e sigurisë së një karburanti në vendin e quajtur ‘Tolli’ në Lezhë.

Ku pas ngjarjes së ekzekutimit të Mondi Mëhallës, u bë edhe shoqërimi dhe marrja e tij në pyetje nga Drejtoria Vendore e Policisë në Elbasan.

Gjatë shoqërimit në polici, Rolando Gjoni, i pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për vrasjen e shtetasit Mondi Mëhalla, tha se automjetin tip ‘Audi’ A4, atij ia ka dhënë një i njohuri i tij. Ky person sipas tij është Armando Paulin Kola. Dhe se Armando ia kishte dhënë për ta mbajtur këtë makinë për disa kohë. Por më datë 29 Nëntor 2025, Rolando Gjoni, thotë se Armando e ka marrë në telefon dhe i ka thënë se do vi një person që ta marrë makinën ‘Audi’ A4, me targë AB 977 GE, pasi e ka të pamundur që të ndryshojë pronësinë e tij.

Dëshmia e Rolando Gjonit dhënë para grupit hetues mbi bisedat e tij e zhvilluara midis tij dhe Armando Kolës, u provuan edhe nga pamjet filmike të një garazhi në Tiranë.

Ku pasi Armando Kola e kishte njoftuar se automjetin tip ‘Audi’ A4 do vinte ta merrte një person, Rolando Gjoni mësohet se ka udhëtuar drejt kryeqytetit me këtë automjet me qëllim për ta dorëzuar te personi për të cilin ai thotë se Armando i kishte folur.

Gjë që ka ndodhur më datë 29 Nëntor 2025. Vetëm një ditë para se Mondi Mëhalla të ekzekutohej.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në vendin e quajtur ‘Blloku i Ambasadës Greke’, pranë parkingut të një pallati, Rolando Gjoni është takuar me tre shtetas të cilët ishin me një automjet të markës ‘BMW’ X1, me targë AB 686 VG. Këta shtetas kanë marrë ‘Audin’ A4, ngjyrë të zezë, me targë AB 977 GE nga shtetasi Rolando Gjoni dhe janë larguar. Nga verifikimet e mëtejshme del se automjeti ‘BMW’ X1, me targë AB 686 VG , rezulton në pronësi të shtetases Sh.T, nga fshati Rajcë, në Prrenjas.

Do të ishte pikërisht ky moment i dokumentuar edhe me pamje filmike, që do zbulonte edhe emrat e personave të cilët ishin të fundit që kishin kontakt me automjetin ‘Audi’ A4 të përdorur në vrasjen e Mondi Mëhallës. Persona ku njëri prej tyre rezultoi se ishte një njohje e ngushtë me viktimën. Ose më konkretisht ishte ortak me të, por që një prishje pazaresh në biznes kishte sjellë edhe përplasje fizike midis tyre, në ditët e fundit para se të ndodhte krimi.

Nga administrimi i pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë të vendosura në parkingun e pallatit ku u dorëzua makina në Tiranë, tre personat që kanë shkuar për të marrë automjetin ‘Audi’ A4, me targa AB 977 GE, nga shtetasi Rolando Gjoni, janë identifikuar si shtetasit Nevzat Spaho, Marselo Arani dhe Oklid Ndino EL Ouejdi.

Të cilët janë njohur edhe nga shtetasi Rolando Gjoni, gjatë paraqitjes së fotografive të tyre, përpara tij, në dëshminë e dhënë në polici. 

Ndërsa Rolando Gjoni u largua nga vendi i takimit me miqtë e Armando Kolës, ai nuk e pa më makinën ‘Audi’ A4. Përveçse kur ajo u raportua si e tillë në një vrasje, vetëm 48 orë më pas në krimin ndaj Mondi Mëhallës.

Ndërkohë që menjëherë pas evidentimit të personave të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje, grupi hetues me urdhër të gjykatës, vendosi mbajtjen në përgjim të këtyre personave si edhe ushtrimin e kontrollit në banesat e tyre.

Një nga banesat që u kontrollua ishte edhe ajo e Xhino Agos, i cili rezultonte si posedues i automjetit ‘Audi’ A4 me ngjyrë të zezë, që u përdor në vrasjen e Mondi Mëhallës. Ago që më herët kishte qenë ortak me biznesmenin e vrarë në një shoqëri taksish por që më pas ishin ndarë dhe Mondi Mëhalla kishte hapur një biznes të tijin të ngjashëm.

Gjatë marrjes në pyetje si person që ka dijeni rreth vrasjes së shtetasit Mondi Mëhalla, shtetasi Xhino Ago tha se më datë 30 Nëntor 2025, rreth orës 9.00, ai ka dalë nga banesa e tij ku jeton në Tiranë me një automjet të markës ‘Hyundai’, që është në pronësi të një kompanie në emër të një shokut të tij, dhe më pas ka ndjekur rrugën në drejtim të qytetit të Elbasanit. Aty ku ai thotë se ka shkuar te zyrat e tij të taksive, ai deklaron se është administrator i kompanisë ’EL Taksi’, zyrat e të cilës janë tek karburati ’Xhaxhi Oil’.

Në dëshminë e tij Xhino Ago nuk pranoi të kishte asnjë konflikt me viktimën Mondi Mëhalla.

Përkundrazi sipas tij, orët para se të ndodhte krimi, ata ishin takuar si zakonisht.

Madje edhe kishin konsumuar kafe me njëri-tjetrin. Ndërsa kishin lënë të takoheshin edhe gjatë darkës, por ngjarja e ndodhur kishte ndryshuar të gjithë rrjedhën e përditshmërisë së tyre, edhe në vazhdim.

Gjatë dëshmisë së tij, Xhino Aga deklaroi se pasi shkoi tek puna e tij, aty ai ka takuar Mondi Mëhallën, me të cilin kanë pirë së bashku një kafe tek lokali i karburantit.

Më pas po sipas tij, ata kanë dalë në këmbë dhe kanë lëvizur përqark karburantit, ku edhe ndodhet magazina dhe kanë ndenjur së bashku deri në orën 13:00, ku gjatë kësaj kohe ai thotë se ka qenë i vetëm me Mondin.

Që pas këtij momenti, Xhino Ago deklaroi se nuk u takuan më me viktimën Mondi Mëhalla.

Por ata shkëmbyen edhe një bisedë të fundit midis tyre nëpërmjet videocall në WhatsApp.

Gjë që sipas tij ndodhi në orët e pasdrekës.

Xhino Ago: Pasi unë u ndava me Mondin, te karburanti, unë ndoqa të njëjtën rrugë për t’u kthyer në banesën time, ndërsa Mondi mori makinën ‘Range Rover’ dhe më tha se do të niset për në Kavajë për drekë me të shtëpisë.Aty rreth orës 15.45, gjatë kohës që isha në shtëpi, unë komunikova sërish me Mondin me video në whats app, ku ai më tha se po kthehej nga Kavaja dhe për 20 minuta do të ishte në Elbasan.

Xhino Ago tha më tej se pasi kishte kryer këtë bisedë të parë me video me anë të WhatsApp, ai kishte folur sërish me Mondi Mëhallën.

Këtë herë për ta ftuar që të shkonin bashkë në Tiranë, ku ai do të shoqëronte të fejuarën e tij.

Por sipas tij Mondi Mëhalla edhe pse fillimisht i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së mikut të tij, më pas del se kishte ndërruar mendje dhe nuk e kishte shoqëruar në Tiranë.

Ose të paktën kështu lë të kuptohet Xhino Ago në dëshminë e tij. Pasi ai nuk sqaron arsyet përse Mondi Mëhalla ktheu mendje dhe nuk u bashkua me të dhe të fejuarën e tij, në rrugën drejt kryeqytetit.

Xhino Ago: Pasi fola herën e parë me video në whats app me Mondin, unë e mora sërish ku e ftova të shkonim bashkë në Tiranë, pasi do çoja të fejuarën F.I në banesë. Mondi më tha fillimisht ok, do ikim bashkë dhe takimin e lamë te karburanti. Kjo pasi unë do i dërgoja edhe kunatin tim shtetasin U.T, i cili do t’i vendoste disa llampa tek magazina e tij, pasi Urimi ishte në shtëpinë time. Por pasi unë dhe e fejuara ime po bëheshim gati të niseshim për në Tiranë, unë pashë nga dritarja autostradën dhe vura re që kishte shumë trafik. Për këtë arsye i thashë kunatit tim U.T që të shkonte të takonte Mondin te karburanti.

Ajo që duket se nuk shkon në dëshminë e Xhino Agos është pikërisht vazhdimi i rrëfimit. Pasi ndërsa ai thotë se përcolli të fejuarën e tij në Tiranë, ai deklaroi se u kthye përsëri te karburanti në Elbasan. Aty ku ndodhi edhe krimi më vonë. Kthim që sipas tij u bë rreth orës 18.45. Pra, gati një 1 orë e 45 min para se Mondi Mëhalla të qëllohej në parkingun e po këtij karburanti. Dhe që po sipas tij, ai tentoi disa herë të lidhet në telefon me ish-ortakun e tij, por ai nuk iu përgjigj as në atë moment dhe as më vonë. Ndërkohë që ora kur Mondi Mëhalla u ekzekutua ishte 20.30 dhe të paktën në këtë interval kohor, ai do kishte pasur mundësi të merrte mbrapsht në telefon mikun e tij. Një mungesë koherence kohore në deklarimin e tij që i ra në sy edhe grupit hetues.

Xhino Ago: Gjatë kohës që unë ndodhesha në banesë në Elbasan me të fejuarën time, dhe po diskutonin që të iknin ne Tiranë, unë pashë nga dritarja autostradën dhe konstatova që kishte shumë trafik. Për këtë arsye unë i thashë kunatit tim që të shkonte ai të takonte Mondin, ndërkohë që unë do të çoja në Tiranë, të fejuarën. Dhe kështu ndodhi. Pasi unë çova të fejuarën time me makinë në Kodër Institut, unë u ktheva në Elbasan dhe shkova direkt tek zyrat ku po prisja Mondin. Unë i rashë disa herë telefonit por ai nuk m’u përgjigj. Unë qëndrova aty rreth 20 minuta. Ora e saktë ka qenë 18:00 e pak. Fiks nuk e mbaj mend. Më pas më ka marrë në telefon, operatoria e kompanisë time.

Sipas Xhinos Agos pasi nuk u lidh dot me Mondi Mëhallën dhe ky i fundit nuk u kujtua ta marrë mbrapsht, ai thotë se ishte pikërisht operatorja e kompanisë së tij të taksive, që e kontaktoi në telefon për t’i dhënë lajmin se Mondi ishte ekzekutuar. Gjë që e bëri atë të nxitojë edhe njëherë te karburanti ku kishte qenë jo më larg se një orë më parë. Aty ku mësoi edhe mbi humbjen e jetës së mikut të tij në biznes, Mondi Mëhalla. Ndërkohë që Xhino Ago sqaroi edhe marrëdhënien e tij të biznesit me viktimën.

Marrëdhënie biznesi që u pranua në deklarimet e tij edhe nga babai i Xhino Agos, i cili tha se djali i tij kishte afro dy vite që zotëronte një biznes me licencë, dhënie me qira të automjeteve. Dhe se prej një viti ishte i licensuar për shërbim taksi dhe se bashkëpronarë në biznes, pra në shërbimin taksi firma’Xhaxhi OIL’, ishte edhe shtetasi Mondi Mëhalla. Por babai i Xhino Agos nuk diti të thotë se sa është përqindja për secilin, por vetëm që kishin gjithsej 15 automjete, shërbim taksie.

Xhino Ago: Pasi unë u largova nga karburanti dhe Mondi nuk ma hapi telefonin unë u ktheva në banesën time dhe kam qëndruar me gjyshen dhe babain tim, kurse nëna ishte larguar për në Tiranë me kunatin tim pasi nipat dhe mbesat i mbajnë prindërit e mi. Ajo që dua të deklaroj është se unë kam në pronësi 16 makina elektrike të markës kineze, nga të cilat 7 ose 8 automjete i kishte me qira Mondi Mëhalla. Kur mora vesh për ngjarjen nëpërmjet telefonit, nga operatorja e firmës, unë u nisa me shpejtësi tek karburant ’Xhaxhi Oil’ dhe aty pashë policinë si dhe automjetin ‘Range Rover’ të ndaluar. Aty mësova nga personat që ishin aty pranë se Mondi ishte vrarë me armë zjarri.

I pyetur mbi lëvizjet e të birit ditën para ekzekutimit të biznesmenit Mondi Mëhalla, babai i Xhino Agos, deklaroi se ata kanë qenë përgjatë gjithë ditës në shoqërinë e njëri-tjetrit.

Deri në momentin kur djali i tij ka udhëtuar drejt Tiranës për të përcjellë të fejuarën e tij.

Më pas po sipas babait të tij, i biri është kthyer në banesë në orën 19.15 minuta dhe ka dalë aty pa lajmëruar në orën 21.00. Pasi ka mësuar nga dikush në telefon që diçka e pazakontë kishte ndodhur në karburantin ku kishte edhe zyrat e taksisë.

Por pa u bërë me dije të afërmve të tij se çfarë ishte kjo vaki që po e nxirrte kaq vonë nga banesa.

A: Në mëngjes djali im, ka ikur në punë dhe rreth 11.30 ka ardhur dhe na ka marrë me makinën e tij tek markata tek Bashkia, dhe na ka dërguar në shtëpi. Sëbashku jemi futur në banesë dhe kemi ngrënë bukë.

Rreth orës 17.00, Xhino dhe e fejuara e tij kanë udhëtuar drejt Tiranës dhe pasi e lanë atë në banesën e saj, diku rreth orës 19.15, ai ka ardhur në shtëpi dhe rreth orës 21.00, e ka marrë dikush në telefon, dhe ai pa na thënë asgjë, me makinën e tij është nisur për tek puna tek automjetet e shërbimit taksi.

Të njëjtën dëshmi dha për grupin hetues edhe nëna e Xhino Agos.

Ndërkohë që siç thamë grupi hetues vërejti mungesë kohezioni kohor në dëshminë e babait të Xhinos Agos dhe në kronologjinë e dhënë nga ky i fundit, në lidhje përditshmërinë para ekzekutimit të biznesmenit Mondi Mëhalla.

Në lidhje me ngjarjen e përshkruar më lart janë marrë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale edhe nga shtetasi U.T, që është kunati i shtetasit Xhino Ago. Si edhe nga shtetasi M.A, babai i këtij të fundit, që ka dhënë shpjegime të kundërta për orën dhe vendndodhjen e djalit të tij. Ndërkohë që për ngjarjen, nuk ka dhënë asnjë të dhënë me interes për hetimin.

/BalkanWeb