Në një komunikim për gazetarët, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se afati prej tre javësh i dhënë për t’i lënë kohë zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka përfunduar.
Sipas Bardhit, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, duhet të sqarojë arsyet pse nuk po thërret mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për lejimin e arrestimit të Ballukut.
Bardhi tha se pesë anëtarët demokratë të Këshillit, të udhëhequr nga përgjegjshmëria që imponon situata dhe nga detyra e tyre institucionale, kanë kërkuar mbledhjen e Këshillit për të vijuar procedurën mbi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit. Ai theksoi se kjo kërkesë bazohet në rregulloren e Kuvendit, të cilën e cilësoi si dokumentin e vetëm ligjor që duhet ndjekur.
Sipas tij, kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë mbledhjen e Këshillit dhe rendin e ditës. Bardhi nënvizoi se sot bëhen tre javë nga momenti kur SPAK ka kërkuar lejimin e arrestimit të Ballukut dhe, po aq, sipas tij, tre javë që anëtarët e mazhorancës në Këshill po shmangin përgjegjësinë.
Ai e cilësoi situatën si një akt të paprecedent, duke theksuar se Këshilli ka marrë tre javë kohë për të shqyrtuar një kërkesë të tillë. Bardhi shtoi se Balluku ka kërkuar tre javë për t’u njohur me provat, ndërkohë që, sipas tij, kryeministri ka deklaruar se as avokati dhe as vetë Balluku nuk i kanë tërhequr materialet.
Në deklaratën e tij, Bardhi vuri në dukje edhe kontradiktat e krijuara, duke theksuar se nga njëra anë pretendohej se dihej përmbajtja e materialeve, ndërsa nga ana tjetër thuhej se ato nuk ishin marrë nga askush. Ai përfundoi se afati trejavor ka skaduar dhe kërkoi që kryetari i Kuvendit të japë shpjegime pse nuk po thërret Këshillin e Imuniteteve dhe Mandateve për të vijuar procedurat.
Bardhi gjithashtu bëri të ditur se do të kallëzojnë penalisht kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshin, për shpërdorim detyre, nëse nuk e mbledh këshillin e mandateve brenda 24 orëve./TemA