Në gjendje të dehur, numër i lartë të rinjsh përfundojnë në urgjencë pas festimeve të Vitit të Ri

Aktualitet

Publikuar: 01/01/2026

Në gjendje të dehur, numër i lartë të rinjsh përfundojnë në urgjencë pas festimeve të Vitit të Ri

Mesnatën e ndërrimit të viteve në spitalin rajonal të Gjirokastrës është regjistruar një fluks vizitash mjekësore në repartin e urgjencës.

Rreth 15 persona kanë marrë ndihmën shëndetësore si shkak i problemeve me alkoolin dhe ushqimet.

Sipas bluzave të bardha, pas festimeve të mesnatës janë paraqitur pacientë, kryesisht të rinj, të cilët kishin konsumuar sasi të tepërta alkooli. Gjithashtu, ndihmë mjekësore është dhënë edhe në disa raste për shkak të helmimeve nga produktet ushqimore.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, ku një numër i lartë të rinjsh janë paraqitur në gjendje të dehur, me simptoma të intoksikacionit.

Sipas burimeve spitalore, të rinjtë kanë qenë kryesisht të grupmoshës 20-30 vjeç, ndërsa pasi kanë marrë mjekimin janë larguar. 

Ndërkohë, për shkak të ngarkesës ushqimore mëngjesin e sotëm në urgjencë ka patur edhe disa raste të paraqitjes të të sëmurëve kronikë, por deri më tani fatmirësisht, asnjë rast nuk ka përfunduar në komplikacione të rënda.