Von der Leyen: Integrimi i Ukrainës në BE, garant i sigurisë dhe prosperitetit për të gjithë Europën

Botë

Publikuar: 30/12/2025

Von der Leyen: Integrimi i Ukrainës në BE, garant i sigurisë dhe prosperitetit për të gjithë Europën

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se gjatë një takimi me liderët evropianë është diskutuar mbështetja për Ukrainën, sigurinë e saj dhe procesin e rindërtimit të vendit.

Sipas von der Leyen, prosperiteti i një shteti të lirë ukrainas lidhet ngushtë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, që sipas saj përbën gjithashtu një garanci kyçe sigurie.

“Anëtarësimi nuk sjell përfitime vetëm për vendet që i bashkohen BE-së; siç tregojnë valët e mëparshme të zgjerimit, e gjithë Evropa përfiton,” shkroi presidentja e Komisionit Evropian në rrjetet e saj sociale.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar ndërkaq se Ukraina është një shtet i farkëtuar nga guximi i popullit të vet dhe se kombi ukrainas ka arritur të mbijetojë e të ruajë identitetin përballë sfidave historike jashtëzakonisht të vështira.

Në një mesazh publik, Zelensky theksoi se shumë kombe nuk do t’i kishin përballuar rrethanat me të cilat është përballur Ukraina ndër vite, por se populli ukrainas ka arritur të ruajë veten dhe të dëbojë pushtuesit e huaj nga vendi i tij.

“Ukraina është një shtet i farkëtuar nga guximi i popullit të saj. Kombi ukrainas mbijetoi dhe ruajti identitetin e vet në një mjedis jashtëzakonisht të vështirë. Shumë nuk do ta kishin përballuar, por ukrainasit ia dolën”, u shpreh Zelensky.

Presidenti ukrainas nënvizoi se vendi do të vazhdojë të qëndrojë i fortë edhe në situatën aktuale dhe se do të mbrojë pavarësinë, sovranitetin dhe të drejtën për të zgjedhur vetë rrugën e tij.

“Ne do të qëndrojmë edhe tani. Do të mbrojmë pavarësinë tonë, sovranitetin, tokën tonë, të drejtën për të jetuar dhe për të zgjedhur vetë se si të jetojmë”, deklaroi ai.