Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pasi votoi në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, deklaroi se zgjedhjet e së dielës duhet të kenë një rezultat të qartë, pasi koalicioni që Lëvizja Vetëvendosje kishte ofruar ishte refuzuar.
“Unë kam ofruar koalicion në prill dhe maj të këtij viti dhe ne jemi pikërisht në zgjedhje të parakohshme për shkak se ky koalicion u refuzua. Andaj, kësaj radhe duhet të kemi një rezultat të qartë, meqenëse mundësia për koalicion iku pa fajin tonë”, deklaroi Kurti para gazetarëve.
Kurti, u shpreh para gazetarëve se kjo ditë, përveç që është e bukur, është njëkohësisht shumë e rëndësishme, duke ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë.
“I ftoj qytetarët që të përdorin mundësinë për t’u përcaktuar për përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Uroj, besoj dhe punojmë që legjislatura e 10-të të konstituojë sa më shpejt Kuvendin e ardhshëm dhe njëkohësisht të formojë Qeverinë e re”.
Ndër të tjera, ai falënderoi qytetarët edhe për pjesëmarrjen në fushatë.
“I falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë, për durimin, vëmendjen dhe angazhimin që kanë treguar. Gjithashtu, shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive, sepse pjesëmarrja masive reflektohet si në cilësinë e zgjedhjeve, ashtu edhe në legjitimitetin e institucioneve”.
Në zgjedhjet e shkurtit, LVV ishte e para me 42.3%, PDK e dyta me 20.95%, LDK në vendin e tretë me 18.27% dhe pas tyre ishte koalicioni mes AAK-së dhe Nismës me 7.06%.