Endri Meksi dhe Salillari në dosjen sekrete të SPAK për tenderat e ARRSH, çuni i ‘Sudes’ dyshime për pastrim parash dhe korrupsion, aktiviteti kriminal nga ortakëria me Amant Josifin tek lojërat e fatit

Investigim

Publikuar: 17/12/2025

Endri Meksi dhe Salillari në dosjen sekrete të SPAK për tenderat e ARRSH, çuni i ‘Sudes’ dyshime për pastrim parash dhe korrupsion, aktiviteti kriminal nga ortakëria me Amant Josifin tek lojërat e fatit

Endri Meksi, çuni i Kompetentit të Piramidave Aleksandër Meksit, rezulton pjesë e dosjes sekrete për tenderat e ARRSH, që SPAK ka referuar në Kuvendin e Shqipërisë, për të mbështetur kërkesën për heqjen e imunitetit zv/kryeministres Belinda Balluku. Meksi dhe karteli i kompanive të tij dyshohet për pastrim parash dhe korrupsion me tenderat e ARRSH-së, fituesit e të cilëve (siç del në përgjimet e SPAK) janë diktuar me pazar në tavolinë, duke ndarë paratë publike sipas roleve.

Në njoftimin e SPAK-ut thuhet se; “Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT.

Me QMT, SPAK i referohet Qendrës së Monitorimit të Trafikut, një aferë e dyshuar korruptive me vlerë 33 milionë euro, me përfitues Endri Meksin, ku i implikuar është edhe ish faturinoja Pëllumb Salillari, i cili ka fituar me pazar në tavolinë tenderin në fjalë që referohet në njoftimin e SPAK-ut, me vlerë 23 milionë, me një diferencë të papërfillshme me fondin limit.

Prapaskena mëson se krahas Tunelit të Llogarasë dhe shtatë loteve të Unazës së Madhe, hetimet janë shtrirë tek dy tenderat e ARRSH-së me vlerë 33 milionë euro për Qendrën e Monitorimit të Trafikut, me përfitues Endri Meksin, i paracaktuar me pazar në tavolinë. Mbetet për t’u parë nëse Meksi është përdorur si prestanome për kamuflimin e zhvatjes së parave publike apo është protagonist real.

Dy tenderat e dyshuar korruptivë, Meksi i ka përfituar përmes kompanisë së tij të shitjes së kompjuterave MC Networking. Tenderin e parë me vlerë 21 milionë euro me objekt “Qendra e monitorimit të trafikut (200 km) faza e parë”, për djalin e Kompetentit të Sudes e ka firmosur ish kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, në burg me kërkesë të SPAK për afera me tendera, me disa masa sigurie.

Endri Meksi, përmes kompanisë se shitjes së kompjuterave MC Networking ka përfituar në bashkëpunim edhe tenderin tjetër nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për fazën e dytë të monitorimit të trafikut me vlerë rreth 12 milionë euro, me flamur të kuq korrupsioni, me pazar në tavolinë dhe me ofertë fituese gati sa fondi limit.

Në gjurmët e Vis Berberit, tenderi i dytë është firmosur nga drejtori aktual i ARRSH-së, Gentian Gjyli, i cili është marrë dy herë i pandehur nga SPAK-u, për dosjen e Berberit si dhe së fundmi për Tunelin e Llogarasë.

Në një hark kohor prej dy vitesh, Endri Meksi ka përfituar në bashkëpunim vetëm nga ARRSH dy tendera me vlerë 33 milionë euro.

Ldhja e Endri Meksit me Tunelin e Llogarasë, prodhoi 140 emisione kundër Veliajt

Endri Meksi, pronar i televizionit mediokër MCN TV që e mban ndezur vetëm një moderator, ushqehet me para publike, me djersën e qytetarëve, përfshirë miliona euro që qarkullojnë në aferën më të përfolur infrastrukturore: Tuneli i Llogarasë.

Në një kohë kur qytetarët presin transparencë dhe hetuesit shqiptarë të asistuar nga ata amerikanë po ndjekin gjurmët e të paktën 90 milionë eurove, i biri i Kompetentit të Piramidave Endri Meksi ngre studio televizive dhe mbron aferat qindra milionë euro të degëve të qeverisë, me të cilat ka lidhur kontrata me natyrë korruptive përmes kompanive të tij, me vlerë dhjetëra milionë euro.

Vetëm kundër Erion Veliajt, duke mjegulluar njëkohësisht aferën e Tunelit të Llogarasë, Endri Meksi ka prodhuar rreth 140 emisione propagadistike. Kjo nuk është media, por është pengmarrje e gazetarisë nga gjobaxhiu Endri Meksi, që nuk paguan as pagat dhe as sigurimet, madje fyen me fjalor banal gazetarët që kërkojnë pagat.

Ndërkohë që nga dosja e Tunelit të Llogarasë po dalin dhe pritet të dalin detaje llahtarisëse, një pjesë e parave dyshohet se kanë shkuar për MCN TV, përmes kamuflimit me kompani klienteliste. Dhe në qendër të këtij zinxhiri financiar-politiko-mediatik, del ‘pinguini’ Endri Meksi.

Me çfarë parash mbahet ai televizion, që nuk ka asnjë reklamë?

Kush paguan për transmetimin e mbi 140 emisioneve radhazi kundër të të njëjtit armik politik, Erion Veliaj?

A është Tuneli i Llogarasë burimi i financimit të MCN TV?

Nëse një media financohet nga një projekt publik që akuzohet për miliona të errëta, dhe më pas përdoret për të sulmuar një figurë politike, atëherë kemi të bëjmë jo me gazetari, por me shantazh institucional.

Ky është momenti, kur SPAK duhet të gjurmojë lekët e Tunelit të Llogarasë, ku kompania nënkontraktore i ka derdhur një pjesë tek MCN TV.

Ky është vetëm fillimi. Dosja duhet hapur deri në fund. Dhe kur të hapet, do të nuhasim erën e vërtetë të Tunelit, dhe në fund të tij do dalë dhe ‘pinguini’ Endri Meksi, i cili e ka nisur aktivitetin me kontrabandë mallrash me shoferët e Kompetentit, për të vijuar me mashtrime kompjuterike, call centera, lojëra fati të palejuara, tendera korruptivë, manipulim tenderash, evazion fiskal, gjobëvënie dhe pastrim parash.

Koncensioni korruptiv i mbikqyrjes së lojërave të fatit. Pse duhet të hetohet nga SPAK-u?

Ashtu siç fshihet pas faqeve dhe profileve ordinere duke sharë pas ferre ‘miq’, ‘shokë’, ortakë dhe funksionarë publikë për t’u marrë tendera, djali i Kompetentit të Piramidave, Endri Meksi ka vendosur të fshihet pas mamasë, Dhurata Meksi, në zbatimin e skemës monopoliste dhe korruptive për mbikqyrjen e lojërave të fatit në Shqipëri, përmes kompanisë Moligix, të cilën e kontrollon me anë të kompanisë së shitjes së kompjuterave MC Networking.

(Dhurata Meksi)

Arsyet dhe rrethanat se pse koncensioni duhet të jetë objekt hetimi nga SPAK konsistojnë në faktin se shërbimi është përfituar me vendim qeverie me pazar në tavolinë, dy muaj para se të themelohej kompania koncensionare, në shkelje të barazisë në tendera dhe ankandeve publike, me grup fiktiv kompanish, pa plotësuar kriteret, përmes mashtrimit dhe në fshehtësi, në funksion të skemës korruptive dhe me natyrë mafioze për kontrollin e lojërave të fatit pas nxjerrjes jashtë loje nga forca të tjera të Ervis Martinajt, i njohur si ish mbreti i kumarit.

(Montazh, Endri dhe Dhurata Meksi)

Endri Meksi, biri i Kompetetit të Piramidave Aleksandër Meksi, ka vendosur mamanë Dhurata Meksi administratore të mbikqyrjes së kumarit, pikërisht si mburojë në rast veprimi të drejtësisë.

Fakte dhe rrethena

Në qershor 2017, Endri Meksi, përmes kompanisë MC Networking, themelon në bashkëpunim kompaninë Moligix me objekt projektimin, financimin, ndërtimin, implementimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit Qendror të Monitorimit On-Line (SQMO) të industrisë së lojrave të fatit në Shqipëri etj.

Ndërkohë që në 6 qershor 2017 është themeluar kompania koncensionare Moligix, në 26 prill 2017, Niko Peleshi, asokohe zëvëndëskryeministër, ka firmosur në vend të Edi Ramës koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit për grupin e kompanive ATSI spolka akcyjnaAdmiral Sportwetten GmbH dhe MC Networking, që të tria të përfaqësuara nga Endri Meksi.

Dy muaj pas fitimit të koncensionit, tre kompanitë, dy nga të cilat shoqëri formale të sajuara nga Meksi në funksion të krijimit fiktiv të grupit të kompanive fituese, kanë themeluar kompaninë Moligix për zbatimin e koncensionit të dyshimtë. Përmes kësaj lëvizje, Meksi ka mundësuar zotërimin e koncensionit me 98 % të aksioneve, pasi ATSI spolka akcyjna dhe Admiral Sportwetten GmbH qëllimisht u tërhoqën, duke pasur vetëm nga 1 % të aksioneve tek kompania Moligix, zbatuese e koncensionit.

Tre vjet më vonë, në korrik 2020, Endri Meksi cakton mamanë Dhurata Meksi administratore të kompanisë Moligix, e cila do të mbikqyrë aktivitetin e lojërave të fatit, për hapjen e të cilave po lobohet dhe janë paracaktuar përfituesit e të paktën 8 licencave.

Kompanitë me të cilat djali i Kompetentit të Piramidave fitoi koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit, të cilat tashmë kanë dalë jashtë loje, ATSI spolka akcyjna dhe Admiral Sportwetten GmbH dhe MC Networking, janë shoqëri të sajuara nga e njëjta dorë në qytetin turistik Krakow të Polonisë si dhe në qytetin austriak Wiener Neustadt.

Dy kompanitë rezultojnë që janë përdorur për fasadë për të kopsitur letrat e koncensionit me fitues të paracaktuar. Pasi Dhurata Meksi bëhet administratore e Moligix, 100 % të aksioneve të grupit të kompanive zotëruese të Moligix kalojnë në duart e Endri Meksit, duke u bërë pronar i vetëm i koncensionit, ndonëse dyshohet se edhe vetë djali i Kompetentit është prestanome.

Kompania MGR, të cilës shoqëria Admiral Sportwetten GmbH i shiti 1 % të aksioneve që zotëronte tek Moligix, kontrollohet pikërisht nga Endri Meksi, i cili qëndron gjithashtu pas një rrjeti kompanish me veprimtari të dyshimtë.

MC Networking shpk, me pronar Endri Meksi, përfituese e mbi 12 milionë euro para publike gjatë pesë viteve të fundit me kontrata klienteliste, korruptive dhe produkt gjobëvënie, ka 99 % të aksioneve në kompaninë Moligix, e cila do të mbikqyrë aktivitetin e lojërave të fatit. Kompania ka si objekt shitje kompjuterash dhe aksesorë të ndryshëm elektronike dhe informatike.

Pra, një kompani që shet kompjutera, pa përvojë në lojërat e fatit, përpos kumarit me fatin e shqiptarëve në 1996, ka fituar koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit në Shqipëri.

20 kompani të dyshimta

Endri Meksi, ortak me Amant Josifin e call centrave dhe përfitues i miliona eurove tenderave publikë me hije korrupsioni, kontrollon rreth 20 kompani, përmes të cilave dyshohet se është përfshirë në vepra të rënda penale si pastrim parash, korrupsion, mashtrim me pasoja të rënda etj.

Pjesë e këtij rrjeti janë; Albcan AlbaniaMC Networking, Moligix, JOHANITERI, Interweb.al, KONNECT shpk, epay.al, ngn shpk, MCN Shpk, MCN SERVICES Shpk, MEDIUM PR&ADS Sh.p.k, Tema TV, 2 M Ltd, CODELAND Sh.p.k, HDS Sh.p.k, 528Hz Sh.p.k, MGR Sh.p.k, NT TECHNOLOGIES POLAND AKCYJNA, M.POS-Limited etj. Me këto firma, i biri Leka Meksit, dyshohet se qarkullon e pastron paratë që babai i tij u vodhi shqiptarëve në vitet 1992-1996 nëpërmjet Sudes, Xhaferrit, Alimuçajt, Drizës dhe Shemsie Kadrisë të “Gjallicës”.

Krahas kompanive, Kompetentët posedojnë edhe 50 pasuri të paluajshme, me vlerë miliona euro, me burim të dyshimtë. Pasuritë janë në emrin e Aleksandër, Dhurata, Endri dhe Redon Meksi. Ka dyshime gjithashtu se një pjesë e pasurive burojnë nga veprimtaria e Kompetentit Aleksandër Meksi, ish-kryeministër i hajdutërisë me firmat piramidale, pas shkrumbimit të Shqipërisë në 1997, ku një pjesë e parave të zhvatura u investuan në biznes, troje dhe kulla.

Endri Meksi ortak me Amant Josifin e call centrave

Amant Josifi, kreu i organizatës kriminale ndërkombëtare të mashtrimit ‘Milton Group’ për Shqipërinë, vijon aktualisht aktivitetin kriminal në Dubai, ku është strehuar për t’i shpëtuar arrestimit, si njeriu më i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe spanjolle si arkitekti i ngritjes së rrjetit më të frikshëm të mashtrimit me investimet e parave në bursat online. Një hetim i shtirë në disa vende, përfshirë Shqipërinë, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Ukrainën, zbuloi vjedhjen e të paktën 2.5 miliardë euro përmes mashtrimit.

Për të finalizuar përvetësimin e shumave përmes mashtrimit, ‘Pirati i Ballkanit’ kishte ngritur një rrjet bashkëpunëtorësh, kryesisht në Tiranë, të cilët administronin call centrat, të cilët kishin mbrojtje të përbashkët policore. Josifi u ekspozua falë këmbënguljes së autoriteteve spanjolle, gjermane dhe italiane. 

Operacioni vetëm sa e ekspozoi Amant Josifin, pasi banda e tij nuk u prek. Perandoria e tij krimianale-financiare i shpëtoi goditjes. Të besuarit e tij vijuan qetësisht aktivitetin kriminal të zhvatjes së qytetarëve evropianë dhe pastrimin e parave, produkt i skemës së mashtrimit, nën ombrellën e krijuar nga Josifi, i cili kishte edhe lidhjet e duhura politike si ish këshilltar i ish ministres Olta Xhaçka, si djali i kryembikqyrëses së administratës publike Pranvera Strakosha dhe si ortak me njerëz të pushtetshëm dhe një rrjet mashtruesish.

Një nga ortakët e Amant Josifit, i cili nuk u prek nga operacioni i SPAK, është pikërisht Endri Meksi. Josifi dhe Meksi janë ortakë në kompaninë e mashtrimit me call centera MCN SERVICES shpk, themeluar në qershor të vitit 2014. Dyshja Meksi-Josifi kanë operuar si ortakë me kompaninë e call centrave për pesë vite.

Në qershor të vitit 2019, Endri Meksi i ka blerë 30 % të aksioneve Amant Josifit, pikërisht kur organet e huaja ligjzbatuese po gjurmonin një nga mashtruesit më të famshëm shqiptar.