Plagosja e dy të miturve, në mes të ditës dhe pranë shkollës sot në Shkodër, duhet të ishte kambana e fundit e alarmit për institucionet shqiptare. Por në vend të reflektimit, vendi duket se po zhytet në një normalitet të frikshëm, ku të miturit plagosin, vrasin dhe vriten, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi.
Këto tragjedi nuk janë më lajme të rralla, ato janë bërë të përhershme, aq të shpeshta sa po kthehen në “normalitet” dhe nuk po alarmojnë më as shoqërinë, as institucionet që duhet të veprojnë. Vetëm kohët e fundit Shqipëria ka humbur tre të mitur nga dhuna mes bashkëmoshatarëve: 14-vjeçari Martin Cani, i therur me thikë në zemër pranë shkollës “Fan Noli”; 14-vjeçari Erald Xhejo në Maliq, i vrarë gjatë një konflikti banal dhe 15-vjeçari Erion Boba, që humbi jetën pas një sherri të nisur në TikTok, goditur me thikë nga një 14-vjeçar. Të tre raste të ndryshme, por me të njëjtën rrënjë: braktisjen totale të fëmijëve nga sistemi.
Këto krime po zbulojnë mungesën e frikshme të mbështetjes psikologjike dhe edukimit institucional në shkolla. Fëmijët rriten pa orientim, pa këshillim, pa strukturë, ndërsa rrjetet sociale u nxisin agresivitet, dhunë dhe rivalitet. Ky ndikim nuk monitorohet, nuk kufizohet dhe nuk parandalohet as nga institucionet, as nga prindërit, të cilët shpesh i lënë fëmijët nën “edukimin” e telefonit.
Ndërkohë, institucionet arsimore dhe ato të rendit flasin vetëm pasi ndodh tragjedia, gjithmonë me të njëjtat deklarata, gjithmonë me të njëjtën heshtje pas varrimit të radhës. Ministria e Arsimit duket se fshihet pas fjalëve të mira dhe statistikave që paraqiten si “suksese”, ndërsa realiteti i shkollave tregon dhunë, plagosje dhe vdekje të të miturve. Fëmijët po vriten në orarin e mësimit, në oborret e shkollave, në lagje, në rrugë. Dhe kjo duhet të tronditë thellë Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Brendshme dhe çdo strukturë që ka në dorë sigurinë dhe zhvillimin e të miturve.
Nëse nuk veprojmë sot, nesër emrat do të kthehen vetëm në numra. Dhe atëherë do të jetë shumë vonë jo për sistemin, por për fëmijët që duhej të mbronim./Pamfleti