SMS-të në celularin e Evis Berberit trazojnë opozitën: “Unë jam, sot e nesër”. Për çfarë flisnin gjatë karantinës Arbër Avrami dhe Belind Këlliçi

Politikë

Publikuar: 08/12/2025

SMS-të në celularin e Evis Berberit trazojnë opozitën: “Unë jam, sot e nesër”. Për çfarë flisnin gjatë karantinës Arbër Avrami dhe Belind Këlliçi

Zbulimi i disa mesazheve në celularin e ish-drejtorit të ARRSH, Evis Berberi, ka hapur një debat të ri politik brenda opozitës, duke rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhëniet mes drejtuesve të institucioneve të lidhura me Ministrinë e Infrastrukturës dhe eksponentëve të Partisë Demokratike.

Debati u ndez sërish pasi nga një grup chat, i gjetur në një prej celularëve të Berberit, dolën SMS mes Belind Këlliçit dhe Arbër Avramit, ish-drejtor i Albgaz, ku flitej për“organizime”“takime ku dhe kur të doni” dhe “sonte jam dakord”.

Siç mësohet nga dosja, mesazhet i përkasin periudhës së karantinës gjatë pandemisë, kur vendi ishte i mbyllur.

Sipas deklarimeve të dhëna para BKH-së, komunikimet i takonin një organizimi mes “djemsh lagjeje”, duke theksuar miqësinë e hershme mes Këlliçit dhe Avramit, të rritur në të njëjtin pallat.

Po sipas dëshmive të dhëna në SPAK, konteksti i bisedës lidhet me një organizim lojërash si tavëll apo shah në zyrat e kompanisë së babait të Arbër Avramit, gjatë netëve të karantinës, një praktikë e aplikuar gjerësish në atë kohë në vend.

Në një moment, Këlliçi shkruan: “Unë, si të doni, sot e nesër”. 

Mësohet se SPAK nuk e ka pasur objekt hetimi diskutimin në këtë grup chat duke mos gjetur përmbajtje që ngjallin interes për hetimin.

Megjithatë, për mënyrën si erdhën gjërat, i takon Belind Këlliçit të sqarojë publikisht kontekstin e komunikimeve.

Lidhjet shoqërore mes Këlliçit dhe Arbër Avramit janë një sekret publik në Tiranë.

Madje, edhe vëllai i Këlliçit, Reshardi, mësohet të ketë marrëdhënie të ngushta me Avramin.

Ky i fundit është emëruar në krye të Albgaz më 6 prill 2018, në kohën kur Ministria e Infrastrukturës drejtohej nga Damian Gjiknuri, i cili ia dorëzoi detyrën Belinda Ballukut në janar 2019.

Arbër Avrami është djali i ndërtuesit të njohur Vladimir Avrami, i afërt me Gjiknurin.

Pavarësisht se SPAK nuk e ka konsideruar këtë komunikim si element hetimor, publikimi i SMS-ve ka ndezur debatin politik dhe ka sjellë një tjetër valë diskutimesh brenda opozitës, në një moment kur tensionet e brendshme janë të larta dhe çdo element komunikimi mbetet i ekspozuar ndaj interpretimit politik.