Erzen Ukës i gjenden mbetje baruti, ekspertiza: U qëllua brenda banesës në Orosh

Kronike

Publikuar: 30/11/2025

Erzen Ukës i gjenden mbetje baruti, ekspertiza: U qëllua brenda banesës në Orosh

Del ekspertiza lidhur me pretendimet e Policisë se nga brenda kullës në Orosh të Fushë-Arrëzit, u qëllua me armë zjarri në kohën kur efektivët e Komisariatit të Pukës bënin thirrje për dorëzimin e Erzen Ukës dhe Julian Cumraku (të njohur ndryshe si Hamza Uka dhe Adem Cumraku).

Ekspertët kriminalistë të angazhuar me hetimet rreth operacionit “Oroshi”, kanë konstatuar mbetje baruti në duart dhe rrobat e Ukës, një ish komando, me eksperienca ushtarake në Irak e Afganistan në vitet 2000, i konvertuar më pas në një mysliman radikal dhe ithtar të ISIS-it.

Të paktën një plumb i qëlluar me armë nga brenda banesës mësohet të jetë fiksuar edhe në momentin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, pasi vetëdorëzimit të Ukës dhe Cumrakut.

Grupi hetimor ka sekuestruar dhe kamerat e sigurisë të qytetit, në bashkinë e Fushë-Arrëzit, ku janë vërejtur Uka, Cumraku dhe një person i tretë, i cili mendohet t’i ketë ndihmuar, por që mbetet i paidentifikuar.

Nga ana tjetër është zbuluar edhe vajza me të cilën ishte takuar Cumraku. Ajo është marrë në pyetje, por nuk dihen detaje mbi atë se çfarë ajo mund të ketë rrëfyer.

Policia e Shtetit ende nuk ka sqaruar rrethanat në të cilat u plagos me armë zjarri Erzen Uka, i cili pas dorëzimit u shoqërua për mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës me një plagë plumbi në këmbën e djathtë.

Avokati i mbrojtjes së Erzen Ukës, pas masës së sigurisë “Arrest me burg” ndaj dy të shoqëruarve, hodhi dyshime të forta se plaga në këmbën e Ukës ishte shkaktuar nga RENEA. Hipotezë e hedhur poshtë deri më tani nga policia.

Ndaj Erzen Ukës dhe Julian Cumrakut, të dyshuar për akte ekstremiste, prokuroria ka zyrtarizuar vetëm akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa ende nuk ka siguri lidhur me qëllimin dhe praninë e tyre në banesën ku u gjetën armë e municione, si dhe një flamur i ISIS-it, varur në murin e banesës ku ata qëndronin prej së paku disa javësh.

Të dy ranë në sy të policisë në mënyrë rastësore, gjatë një operacioni anti-kanabis, të bluve të Pukës, kur Julian Cumraku iku me shpejtësi nga sytë e efektivëve dhe u ngujua në kullën ku më pas u konstatuar se ndodhej edhe një person i dytë, pikërisht Erzen Uka, i dënuar më parë me tre vite heqje lirie nën akuzën e “nxitjes së urrejtjes fetare”.