Analisti Indit Vokshi, në një intervistë në Report TV komentoi protestat që ka nisur PD- ja para kryeministrisë, duke thënë se nuk është rruga e duhur. Ai theksoi se PD, me protestat e mëparshme, ka arritur të nxjerrë në shesh militantët e saj, por shtoi se kjo nuk mjafton. Sipas Vokshit, PD duhet që të fokusohet te organizimi dhe identifikimi i figurave që të afrojnë partinë me votuesin.
“Mendoj se nuk është rruga e duhur. E njoh PD se kam qenë dikur. 10 protesta të mëdha kombëtare ka bërë PD në vitin 2019. Asnjë produkt politik. Ti strukturën dhe militatët e tu i nxjerr në shesh. Por Shqipëria nuk janë vetëm militantët e tu. Një parti duhej të merrej më shumë me organizimin, identifikimin e personaliteteve dhe figurave që të ishin të aftë për t’i vendosur partisë një marrëhënie me votuesin. Protesta në fjalë nuk është se vë një marrëdhënie të re me votuesin dhe nuk po të rrit votat. Partia duhet të fokusohet te përmirësimi i cilësisë së përfaqësimit të saj.”, u shpreh Vokshi.
Më tej, Vokshi komentoi edhe sulmet e vazhdueshme te Sali Berishës për lidhje të qeverisë me George Soros. Ai tha se PD-së i duhet një “armik” për të sulmuar qeverinë, ndërsa shtoi se ka qenë vetë Soros që e ka ndihmuar PD-në që të vinte në pushtet, në vitin 1992 dhe në vitin 2005.
“Iu duhet një armik, armiku perfekt të cilit nuk ke çfarë i bën. Si ajo poezia që ndjekim horizontin se e dimë që nuk do të shkojmë kurrë te horizonti, por syri aty na jep fuqinë për të ecur përpara me mendimin se do ta kapim. Soros ka qenë operator i një fraksioni të Departamentit të shtetit, ka shpërndarë paratë e USAID. Ka qenë pjesë e projektit amerikan të eksportimit të demokracisë nëpërmjet organizatave jo qeveritare. Soros e ka ndihmuar dy herë PD për të ardhur në qeverisje, në vitin ‘92 dhe 2005. Keni një deklaratë zyrtare të George Soros, ku thotë se konsumova një drekë më kryeministrin Berisha dhe jam i luimtur se jemi aleatë me këtë politikan. Pra është një strukturë apo operator amerikan. Sorosi nuk është shtet, nesër shteti amerikan mund ta çmontojë atë strukturë.”, ushpreh ai.