Nga Arben Rrozhani
Paraditen e 2 nëntorit, ndërsa në hollin e Pallatit të Kongreseve, mbaheshin homazhet për ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e PS-së, Fatos Nano, në të djathtë të arkëmortit me trupin e tij, ishin ulur figurat e larta të politikës dhe jetës publike. Në radhën e dytë disa deputete rishtare dhe fiks pas Namik Dokles, “senator” i PS-së, shkrimtar dhe publicist, i përzënë si shumë të tjerë nga PS-ja prej lidershipit të ri, shfaqej e pikëlluar Zegjine Çaushi. Dy epoka brenda një metri vend.
Zegjineja kishte lindur 2 muaj para se Fatos Nano t’ia mbathte në Maqedoni, pasi më 14 shtator Sali Berisha hapi dy krahët dhe i tha turmës së rebeluar për vrasjen e Azem Hajdarit: Varroseni në Sharrë! Dhe një njëri krah tregonte selinë e kryeministrisë ku qindra militantë të armatosur duke përdorur si dash arkivolin e ish-liderit të Dhjetorit, hynë dhe morën me forcë kontrollin disaorësh të kryeministrisë.
Sot, Zegjine Çaushi, kjo 27-vjeçare e ardhur nga një fshat i vogël në bashkinë periferike të Roskovecit, është bërë tabelë qitjeje e preferuar për mediat e mbytura në batakun e klikimeve (pse fjalën institucion e shqipton “instucion”, rritur e thotë “rrjetur”, apo s’njeh numërimin pasi e shqipton 3 mijë e 700 mijë), por edhe të kolegëve në Kuvend (rasti me Ulsi Manjën në Kuvend, ku, mediat thanë se ai mblodhi, duke i dalë në krah kolegut demokrat Oerd Bylykbashi). Dhe më tej, mediat që harxhojnë kohë të vyer duke shpalosur Zegjinenë që inspekton veshur me atlete të bardha, apo duke i montuar një kallam peshkimi, me diçiturën: Qeveria e zgjidhi situatën katastrofike të përmbytjeje në qarkun e Fier, se ka dërguar atje Zegjinenë.