Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur kryetaren e bashkisë Roskovec, Majlinda Bufin.
Mësohet se Bufi është marrë e pandehur për veprën penale të “Përdorimit të Funksionit Publik për Veprimtari Politike”.
Hetimi i nisur pas një kallëzimi penal ndaj saj është përfunduar nga SPAK dhe dosja është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku pritet të shqyrtohet.
Gjatë dy viteve të fundit në SPAK janë depozituar tre kallëzime ndaj Bufit, ndësa të paktën dy herë, ajo është paraqitur për të dhënë deklarime.
Bufi është kallëzuar në SPAK nga PD për dy vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Sipas kallëzimeve, kryebashkiakja ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale shkelje të rënda kundër punonjësve të administratës publike, për t’i penguar ata të votojnë lirisht, shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe.