Kur do të hapet IPARD III? Malaj: Jam shumë optimist, do hapet në 2026-ën po përmbushim detyrat e lëna

Aktualitet

Publikuar: 10/11/2025

Kur do të hapet IPARD III? Malaj: Jam shumë optimist, do hapet në 2026-ën po përmbushim detyrat e lëna

Ministri i Financave ka deklaruar në Komisionin e Bujqësisë, që fondet e IPARD III të bllokuara që prej vitit 2023, do të hapen në vitin 2026.

“IPARD ka qenë i suksesshëm edhe në fazën e parë edhe në fazën e dytë. Për shkak të disa parregullsive që u identifikuan në fazën e dytë, Komisioni Evropian nëpërmjet DG Agri, la disa masa të cilat duhet t’i përmbushte qeveria shqiptare, masa të cilat ne jemi duke i përmbushur dhe që jam shumë optimist. Megjithatë më shumë informacion besoj do t’ju japi dhe ministri i linjës në lidhje me këtë çështje që i IPARD III, do të hapet gjatë vitit 2026. Dhe në varësi të diskutimeve dhe të vlerësimit të përmbushjes së masave që ka bërë qeveria shqiptare, ky program besoj që do të jetë një kontribut shumë i madh për bujqësinë shqiptare”, tha Malaj.

Komisioni Evropian ndërpreu mbështetjen e bujqësisë shqiptare përmes fondeve të IPARD në gusht të 2023-shit për shkak se OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit), gjeti keqpërdorime serioze me fondet e programit te mëparshëm IPARD II, pas hetimeve që ata bën pas denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike.

IPARD III të cilin e presin fermerët shqiptarë parashikon mbështetje prej 112 milionë euro në 9 fushat që do të mbështeten me fonde, si infrastrukturë rurale, ndërtim tregjesh, për Agro-përpunim apo Agro-turizëm, pylltari, asistencë teknike e këshillim.