Ai thirret me statusin e personit që mund të ketë dijeni mbi rrethanat e kryerjes së ngjarjeve…
Ish-Kryeministri Sali Berisha është thirrur për të dëshmuar për 21 janarin 2011, ku 4 demonstrues të opozitës së asaj kohe, u vranë si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga forcat e sigurisë. Kjo ngjarje përbën një nga krimet më të rënda të paktën të dy dekadave të fundit, ndërsa SPAK rihapi hetimet pas një vendimi nga Gjykata e Strasburgut.
Ai thirret me statusin e personit që mund të ketë dijeni mbi rrethanat e kryerjes së ngjarjeve. Dosja e 21 janarit është në duart e prokurorit të SPAK, Alfred Shehu.

Sipas raportimeve, Berisha është thirrur të paraqitet në SPAK të premten ( 14 nëntor) ora 10:00, ndërsa fletëthirrja i është dërguar kreut demokrat në 3 adresa: banesën ku jeton, selinë e PD-së dhe Parlamentin, ku ai është deputet.
Sipas njoftimit të SPAK, janë regjistruar hetimet për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim”, “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim, dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunim.
Në këtë mënyrë duket se SPAK nuk i ka lënë asnjë shteg të lirë kreut demokrat që të gjejë justifikime për të mos u paraqitur me pretekstin se nuk është në dijeni të fletëthirrjes.
Paraqitja në SPAK e Berishës lidhur me 21 janarin pason atë të ish-kreut demokrat, Lulzim Basha, që në kohën kur ndodhi vrasja e 4 protestuesve mbante detyrën e ministrit të Brendshëm.

Basha u paraqit në SPAK pasditen e 30 tetorit, ku qëndroi për rreth 60 minuta, teksa u pyet si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes. Ish-kreu demokrat nuk pranoi të jepte detaje lidhur me dëshminë e tij, që e konsideroi si sekret hetimor.
Kohë më parë në SPAK është paraqitur edhe Ndrea Prendi, ish-komandanti i Gardës së Republikës, por edhe disa ish-funksionarë të tjerë të asaj kohe që mbanin funksione në forcat e policisë dhe Gardës së Republikës.
Për 14 vjet, familjarë të viktimave që humbën jetën si pasojë e të shtënave në demostratën e 11 janarit 2011, kërkuan zbardhjen e atij që njihet si një krim shtetëror.
Ishte insistimi i palëkundur i familjarëve të Aleks Nikës, vrasje e mbetur pa autor, që çoi dosjen e 21 janarit në dyert e SPAK.
Më 12 mars të vitit 2024, Gjykata e Lartë foli në frymën e një vendimi historik të një prej gjykatave më të rëndësishme ndërkombëtare, asaj në Strasburg për të Drejtat e Njeriut, dhe urdhëroi SPAK të hetojë 21 janarin si krim shtetëror, për të zbardhur rolin dhe përgjegjësitë e drejtuesve të lartë shtetërorë, Sali Berishës, Lulzim Bashës, e Ndrea Prendit për vrasjet e 4 protestuesve, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
Prokuroria e Tiranës çoi të pandehur vetëm ish-komandantin e Gardës, Nrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të cilët në 2013-ën u dënuan nga gjykata për vrasje nga pakujdesia, Prendi me 1 vit burg, Llupo me 3 vite, tashmë prej kohësh, të dy të lirë.
Prokuroria e Posaçme regjistroi më 15 korrik procedimin penal për 3 vepra penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.
/Pamfleti