Dokumentet / Bukuroshi i Peqinit ndan me punonjësit e bashkisë paratë për shtresat në nevojë, afera flagrante me tendera

Kryesore

Publikuar: 03/11/2025

Dokumentet / Bukuroshi i Peqinit ndan me punonjësit e bashkisë paratë për shtresat në nevojë, afera flagrante me tendera

Nuk kanë të sosur skandalet dhe marrëzitë në Bashkinë e Peqinit me në krye Bukurosh Maçin. Krahas betonizimit të rrugës historike Egnatia dhe përvetësimit të parave publike nga titullari i njësisë vendore përmes tenderave ndaj kompanive me pronar po vetë titullarin, kupola e Bashkisë Peqin po ndan fondin e emergjencave si qoka për punonjësit e saj.

Është një skemë e aplikuar edhe në Bashkinë e Kolonjës nga Erion Isai, i njohur si Çuçka i Kolonjës, i pandehur nga SPAK për afera me tenderat, i cili paratë e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë i ndau me punonjësit e bashkisë. 

Më konkretisht, me fondin e emergjencave civile, Bashkia Peqin ka financuar ndërtimin e çatisë të objektit të Drilon Toli, i cili është punonjës pranë Bashkisë Peqin, sketori i shërbimeve publike. 

Nga fondi i emergjencës me prioritet në letra për familjet në nevoje që i përkasin komunitetit rom dhe egjyptian, ka përfituar edhe zonja Fatime Puci, e cila është komshije e kryetarit të bashkisë Bukurosh Maçi.

Nga paratë publike për emergjencat civile ka përfituar edhe zonja Albana Malkja, e cila është bashkëshortja e një tjetër punonjësi të Bashkisë Peqin. 

Janë vetëm disa shembuj ilustrues se si fondet publike që menaxhon Bashkia e Peqinit shkojnë për qoka për rrethin e kryetarit të bashkisë. 

Ndërkaq, aferat me tendera janë sa flagrante dhe sfiduese për SPAK-un aq edhe banale dhe fyese për qytetarët. Më konkretisht, nëse zyrtarët e tjerë vendor përpiqen të jenë sa më të kamufluar dhe sofistikuar kur përfshihen në përvetësimin e parave dhe pasurive publike, titullari i Bashkisë Peqin, Julian Manahasa (Sekretar i Përgjithshëm) ka vendosur t’i bie shkurt, duke i dhënë vetes paratë publike, përmes një skeme transparente korrupsioni.

Në vitin 2022, Manahasa ka themeluar komapaninë e ndërtimit T&J Construction shpk, duke qenë edhe në funksione të larta drejtuese në Bashkinë e Peqinit.

Dy vjet më pas, Manahasa i ka shitur 50 % të aksioneve shtetasit Emilian Lluca. Duke keqpërdour funksionin publik, Manahasa ka nisur që të kalojë në llogaritë e kompanisë së tij një pjesë të parave publike të Bashkisë Peqin. (Duhet theksuar se në momentin që është lidhur kontrata mes Bashkisë Peqin dhe kompanisë së Manahasës, ky i fundit formalisht nuk ka qenë titullar, një manovër kjo për t’i shpëtuar SPAK-u). Por, para dhe pas lidhjes së kontratave, Manahasa ka mbajtur detyra të rëndësishme në bashki, përkatësisht nënkryetar i bashkisë dhe më pas sekretar i Përgjithshëm. 

Kompania T&J Construction ka marrë rreth 70 mijë euro kryesisht nga Bashkia Peqin. Në bashkëpunim ka marrë rreth 4 milionë euro tendera publikë. Në bazë të kontratave të mëparshme, kompania T&J Construction e Juljan Manahasës merr para nga Bashkia Peqin në një kohë kur Manahasa është Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Peqin.

Julian Manahasa ka qenë nënkryetar i Bashkisë Peqin për vite me radhë. Është larguar për një periudhë të caktuar kohore, gjatë të cilës ka marrë tendera me kompaninë e tij nga Bashkia Peqin. Më pas është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Peqin. 

Duke parë xhiron dhe transaksionet e T&J Construction, krijohen dyshime të forta se Manahasa ka diktuar tendera me vlerë miliona euro për disa kompani klienteliste, të cilat më pas kanë kontraktuar kompaninë e tij për zbatimin e kontratave publike. Është një manovër e përdorur masivisht me qëllim për të evituar ekspozimin dhe goditjen nga SPAK-u.

Kjo skemë me paratë publike ku i njëjti personazh është edhe arbitër dhe lojtar i tenderave publikë zhvillohet nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi.

Manahasa dhe Maçi janë edhe ideatorët e marrëzisë së pashembullt, atë të betonizimit të Rrugës Egnatia. Studiuesi Auron Tare i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të ndërhyjë për të ndaluar këtë marrëzi të Bashkisë Peqin që të shpëtohet pa qenë vonë pjesa e Rrugës Egnatia që shtrihet në Shqipëri, një ndër 10 rrugët më të rëndësishme te civilizimit europian.

Skandali i betonizimit të rrugës historike karakterizohet nga babëzia për vjedhjen e fondeve publike, injoranca ekstreme, papërgjegjshmëria dhe mungesa e frikës nga ndëshkimi ligjor.

Jo rastësisht, tenderin për të betonizimin e rrugës antike ku shkelen legjionet romake gjatë Luftës Civile te Cezarit dhe Pompeut, e ka fituar, me pazar në tavolinë, Eral Myftaraj, i njohur si brejtësi i pyjeve, për shkak të masakrave në pyjet e Qarkut të Elbasanit. Myftaraj është skeduar si ‘xhepi’ i Blendi Çuçit dhe prestanome e tij në disa tendera me vlera të larta. Myftaraj është një nga klientët e Maçit, madje klient i imponuar nga faktorë të tjerë. 

Ndërkaq, tenderat e Bashkisë Peqin diktohen për dy linja. Linja e korrupsionit, ku bëjnë pjesë një çetë klientësh dhe linja e krimit. Linja e krimit ka kapur dhe kontrollon disa shërbime, sidomos pastrimin, por edhe sektorë të tjerë. Çfarë mbetet jashtë dorës së krimit, futet në lojë dhe i përlan linja e korrupsionit. Ambasada Amerikane, SHISH, BE, SPAK-u etj., besohet se kanë informacion më të detajuar për kapjen e bashkive të Qarkut Elbasan nga krimi dhe korrupsioni.