Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano u përcoll sot për në banesën e fundit. Ceremonia mortore e mbajtur në nder të tij në Pallatin e Kongreseve, bashkoi të majtë e të djathtë nga politika, të gjithë për të nderuar figurën e Nanos, i cili i shërbeu Shqipërisë që prej periudhës së tranzicionit e deri në demokraci.
Pritjet në hollin e Pallatit të Kongreseve nisën që prej orës 08:30 të mëngjesit për tu mbyllur me ceremoninë shtetërore në mesditë. Deputetë, politikanë, përfaqësues të lartë institucionalë e të grupeve fetare i thanë sot lamtumirën ish-kryeministrit të Shqipërisë.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ai që edhe burgoi për 3 vite Nanon, mungoi në ceremoni, por si përfaqësues të tij dërgoi Agron Gjekmarkajn dhe Flamur Nokën. Pjesëmarrës ishte dhe deputeti Arjan Ndoja ndërsa nga aleatët opozitarë ishin Agron Duka, Fatmir Mediu dhe Tedi Blushi, si përfaqësues i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Kam pasur një miqësi shumë të ngushtë me Nanon. Jemi njohur që nga viti 2000 bashkë, ruajmë kujtime të mrekullueshme. Më vjen ndërmend shprehja e doktor Solisit, Nano vdiq kur i vdiq ajo që kishte me të mirën në trupin e tij, truri. Çdo njeri ka anët e forta të tij të vetat, Nano kishte trurin. Kur i vdiq truri, vdiq Nano”, tha Duka.
Fatmir Mediu tha se Nanon do ta kujtojë gjithmonë si një politikan të tolerancës, një kundërshtar të denjë dhe një njeri me kontribute të mëdha në jetën politike të Shqipërisë.
“Unë do ta kujtoj Nanon si njeri i mendimit dhe i tolerancës. Një kundërshtar që me të cilin kur debatoje duhet të mendoje thellë dhe padyshim me kontribute në të gjithë jetën politike të këtij vendi. Askush nuk është perfekt, por Fatos Nano kishte tolerancën, që jo shumë politikanë shqiptarë e kanë”, tha Mediu.
Blushi tha se Nano do të kujtohet gjithmonë si figurë politike kyç e tranzicionit shqiptar, i cili pati meritën e transformimit të Partisë së Punës, në një parti socialdemokrate europiane.
“Z. Nano do të kujtohet si një figurë politike kyç e tranzicionit shqiptar, i cili pati meritën e transformimit të Partisë së Punës, në një parti socialdemokrate europiane. Dy qëndrimet e tij politike “të lëshojmë pushtet për të ndërtuar shtet” dhe “organizimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme e të barabarta është më i rëndësishëm se rezultati” uroj të udhëheqin të majtën shqiptare”, tha Blushi.
Për mediat, pas homazheve dy fjalë thanë dhe miqtë e Nanos apo bashkëpunëtorët e tij të ngushë politikë.
Ish-ministri i Ekonomisë së PS-së, Arben Malaj, e ka cilësuar periudhën aktive politike të Nanos, si një trashëgimi të madhe dhe që duhet të jetë shembull për politikanët sot dhe ato të së ardhmes.
“Ajo që do të mbetet nga Fatos Nano në të gjithë tranzicionin shqiptar, është trashëgimia e tij politike, e cila për mua dhe kolegët e mi do të shërbejë si një pikë referimi, por dhe si një model inspirimi për të rinjtë. Ishte erudit, mendjehapur, ishte liberal dhe u fokusua të gjëja që kishte më të rëndësishme Shqipëria, që ishte paqja sociale”, tha ndër të tjera Arben Malaj.
Ish-deputeti i PS, Spartak Braho e kujton me nostalgji rrugën e përbashkët politike me Fatos Nanon. raho thotë se Nano shkëlqeu si lider politik dhe sot duhet t’i kujtohen qasjet e mira dhe të këqija, ku mes rreshtave nënvizon edhe burgosjen nga regjimi fashist i Berishës, siç ai e cilësoi.
“E kujtoj me nostalgji. Kemi patur një rrugë politike të përbashkët që në themelimin e PS, si lider politik Fatosi shkëlqeu dhe sot humbja e tij na obligon të vijmë ti bëjmë nderin, ta përkujtojmë, të kujtojmë që qasjet e mira dhe të këqija, veçanërisht burgosjet e tij nga regjimi fashist i Berishës”, tha Braho.
Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi si dhe një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Nanos, tha për të se pavarësisht kontributit të vyer në PS, Nano do të mbahet mend si i vetmi politikan që në demokraci është persekutuar 4 vjet, dhe si i vetmi politikan që kur humbi, dha dorëheqje të parevokueshme.
“Nano si lider i PS në 14 vite kur nuk ka për të ndodhur më që në harkun e 14 viteve, 4 vjet ti kalosh në izolim dhe 8 vjet ta mbash forcën politike në pushtet pikërisht në dekadën e parë të themelimit dhe transformimit të kësaj force politike si asnjë forcë politike. Do mbahet mend si i pari që në zgjedhjet para dhe të fundit që humbi dha dorëheqjen të parevokueshme duke e lënë të lirë partinë politike dhe gjeneratën re për të marrë drejtimin e kësaj force politike”, tha Gramoz Ruçi.
Deputeti i PS-së, Erion Braçe tha për Nanon se ai “i dha mundësi të gjithëve papërjashtim, edhe atyre që ishin në rrënojat e partisë së punës dhe dolën prej saj dhe të gjithë të tjerëve që iu bashkuan PS më pas.”
Në homazhe mori pjesë dhe ish-truproja i Fatos Nanos, Viktor Agolli, i cili tha se “ai kurrë nuk u hakmor, edhe pse ndaj tij u hakmor politika. Është ai Fatos Nano që i njohu dorëheqjen dhe nuk e kthye më kurrë në politikë. I mori njerëzit nga rruga dhe i bëri ministra.”
Gjithashtu qytetarë të thjeshtë e simpatizantë ishin pjesë e ceremonisë, duke thënë se Nano do të mbahet mend gjithmonë si kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Për shkak të pamundësisë për të qenë prezent në ceremoni, Erion Veliaj ka dërguar një kurorë me lule për të nderuar figurën e Fatos Nanos, Në ceremoni nuk mori pjesë as presidenti i Republikës, Bajram Begaj për shkak se ndodhej jashtë shteti. Ceremonia e lamtumirës për Nanon u mbyll me nderime nga trupi diplomatik dhe qeveria shqiptare me në fund një fjalim të kryeministrit Rama, bashkëshortes Xhoana dhe djalit, Sokol Nano.