Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka prezantuar sot drejtorin e ri të Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj.
“Vendimi i bordit dje u bë i ditur. Etjen Xhafaj është bashkëpunëtor i hershem i imi. Kemi punuar bashkë në disa pozicione. Etjeni ka një karrierë të gjatë. Në 2021 u largua nga ekzekutivi për t’iu përkushtuar politikës. Mbajti një mandat të qarkut të Tiranës.
Sot, drejtimi i postës shkon në duart e një profesionisti të sprovuar në disa fusha të lidhura ngushtësisht me objektin e Postës Shqiptare. Besoj do optimizohet procesi i shërbimeve postare dhe financiare. Është shumë e rëndësishme që Posta të performojë duke optimizuar shërbimet financiare”, tha Balluku.
Ministrja shtoi se Posta Shqiptare ka gjithë mundësinë për t’u bërë pararojë e zhvillimeve teknologjike e digjitale.
“Posta shqiptare, një nga shoqëritë më të rëndësishme që Ministria e Ekonomisë ka në varësinë e saj. Mbetet një nga kompanitë molekulare shtetërore. Posta është e shpërndarë në çdo anë. 533 njësi zyre operojnë dhe ofrohen me mijëra shërbime gjatë ditës, duke e bërë këtë një nga ndërmarrjet më vitale që i shërben për shërbimet postare dhe financiare.
Vitet e fundit janë bërë disa inovacione që kanë ndryshuar dhe kanë reformuar mënyrën si ofrohet shërbimi në postën shqiptare, megjithatë ne presim shumë më shumë.
Qeveria shqiptare mban flamurin e digjitalizimit. Posta i ka të gjithë mundësitë për shkak të shpërndarjes dhe shtrirjes së saj, për shkak të komponentëve financiare që ofron, ka mundësitë për tu bërë pararojë e zhvillimeve teknologjike e digjitale në shërbimet publike që ofron administrata shqiptare”, përfundoi ajo.