GJKKO dënon me 2 vite burg Ervis Cvilon për grup të strukturuar kriminal

Kronike

Publikuar: 28/10/2025

GJKKO dënon me 2 vite burg Ervis Cvilon për grup të strukturuar kriminal

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për çështjen penale ndaj Ervis Cvilos, i akuzuar për veprimtari kriminale të lidhura me trafikimin e narkotikëve dhe pjesëmarrjen në një grup të strukturuar kriminal.

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte ngritur ndaj Cvilos akuzat për: “Trafikimi i narkotikëve” “Grup i strukturuar kriminal” “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Procesi gjyqësor u zhvillua me procedurë të shkurtuar, dhe trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Flojera Davidhi dhe Bib Ndreca vendosi:

Pushimin e akuzës për “Trafikim narkotikësh në formën e grupit të strukturuar kriminal”, pasi Cvilo ishte gjykuar më parë për të njëjtin fakt penal me vendim të formës së prerë.

Deklarimin fajtor për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i Kodit Penal) dhe dënimin me 3 vite burgim.

Në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me 1/3, duke e çuar përfundimisht në 2 vite burgim.