Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar sot për njëvjetorin e arrestimit të presidentit të partisë, Ilir Meta (21 tetor 2024), duke e cilësuar një akt të pastër politik dhe me prova të montuara.
Ai nënvizon nëpërmjet një video-postimi në rrjetin social, se arrestimi jo vetëm ishte rrëmbim, por se u bë me urdhër politik.
“Mezi presim gjykimin dhe përballjen pas 8 vitesh hetimesh, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme”, shprehet Blushi mes të tjerash në reagimin e tij.
Ai thekson se ka zero fakte penale dhe prova dhe se të gjitha veprimet e kryera janë të paligjshme. Ai e shoqëron postimin edhe me pamje nga takimet e Ilir Metës me anëtarët e partisë.