‘Liria ka emër’, sot protesta për liderët e UÇK-së! Sheshi ‘Skënderbej’ në Tiranë vishet kuqezi, mblidhen protestuesit e parë 

Aktualitet

Publikuar: 17/10/2025

‘Liria ka emër’, sot protesta për liderët e UÇK-së! Sheshi ‘Skënderbej’ në Tiranë vishet kuqezi, mblidhen protestuesit e parë 

Me qindra qytetarë janë mbledhur që tani në sheshin “Skëndërbej” për protestën që mbahet në orën 17.00 në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së të paraburgosur në Hagë. Qindra protestues me flamujt kuqezi dhe flamujt e UÇK-së erdhën Kosova drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës me moton “Liria ka emër” që organizohet nga veteranët e UÇK-së.

Në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, protestës pritet t”i bashkohet edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, por edhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së. Eskorta e presidentes Vjosa Osmani u pa duke kaluar në kufi por Report Tv mësoi se ka mbërritur në Tiranë për një vizitë dhe më pas do largohet drejt Prishtinës. 

Nga politika shqiptare, protestës pritet t’i bashkohen edhe deputetët e PS, ndërsa PD ka refuzuar të marrë pjesë. I vetmi që i ka dalë nga “rreshti” Sali Berishës, ishte Fatmir Mediu, që në seancë e djeshme plenare tha se do të jetë i pranishëm në protestë.

Për mbarëvajtjen e protestës do të bllokohet për 2 orë qarkullimi tek Bulevardi i Ri, nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00, pasi do të parkohen mjetet e protestuesve. 

Protesta që organizohet nga veteranët e UÇK-së përplasi në distancë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrin Edi Rama, të cilët nuk do të jenë në protestë. Ishte i pari Kurti që sulmoi Ramën duke përdorur llogarinë në facebook të partisë Lëvizja Vetëvendosje, ku thonte se Rama fluturoi me helikopter drejt Kosovës për t’i bindur palët që të votonin pro ngritjes së Gjykatës Speciale. Nga ana tjetër, Rama i tha se Kurti do ta donte Hashim Thaçin për jetë në Hagë, ndërsa tha se refuzoi t’i bashkohet protestës për shkak të politizimit.

Prej 3 prilli të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota. /Shqpitarja.com