Misteri / Si e fitoi krushku i Luçiano Boçit (Fatbardh Doko) projektin 70 milionë euro të OST për linjën e interkonjeksionit, dyshime për aferë korruptive

Investigim

Publikuar: 15/10/2025

Misteri / Si e fitoi krushku i Luçiano Boçit (Fatbardh Doko) projektin 70 milionë euro të OST për linjën e interkonjeksionit, dyshime për aferë korruptive

Në dhjetor të vitit 2020, kompania shqiptare Doko shpk dhe shoqëria turke Joint Venture-i Mitas Energy and Metal Construction Inc themelojnë kompaninë Joint Venture-i Mitas Energy and Metal Construction Inc – Doko shpk. Pronarë përfitues të shoqërisë mikse janë biznesmeni Fatbardh Doko (krushku i deputetit të PD-së Luçiano Boçi) me 40 % të aksioneve dhe biznesmenin turk Volkan Karabag, me 60 % të aksioneve.

Adresa e kompanisë është në Bradashesh të Elbasanit, pranë Kombinatit Metalurgjik, ndërsa objekti është ‘sigurimi i zhvillimit të projektit referuar në këtë marreveshje‘. Me ‘marrëveshje’, kompania Joint Venture-i Mitas Energy and Metal Construction Inc – Doko shpk nënkuptojnë një marrëveshje dhe kontratë sekrete (gusht 2023) me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut, me vlerë rreth 70 milionë euro.

(Aksionerët Fatbardh Doko dhe Volkan Karabag)

Investimi financohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (para publike), nga qeveria gjermane përmes bankës KfW dhe WBIF. Kontrata me kompaninë Joint Venture-i Mitas Energy and Metal Construction Inc – Doko shpk konfirmohet në një dokument zyrtar të OST, drejtuesi i të cilit është marrë i pandehur nga SPAK-u.

Ky projekt karakterizohet nga mungesa e thellë e transaprencës. Dhe ku mungon transparenca ka risk të madh për korrupsion, pazare dhe allishverishe. Mbetet mister se si u zgjodh (paracaktua) kompania tukro-shqiptare Joint Venture-i Mitas Energy and Metal Construction Inc – Doko shpk për zbatimin e projektit 70 milionë euro.

Çfarë interesash fshihen pas Fatbardh Dokos dhe Volkan Karabag? Nga kush morën garanci që krijuan kompaninë tre vite para se sa të fitonin kontratën me OST? Mbi ç’bazë ligjore dhe rrethana u zgjodh kompania për zbatimin e projektit? A ka pasur garë? A duhet të kishte pasur garë? Pse mbahet sekret marrëveshja dhe procedura që ka prodhuar kontratën? A është kompania shqiptare mbulesë e kompanisë turke apo anasjelltas? Ku përfundojnë paratë e taksapaguesve gjermanë dhe shqiptarë?

Të gjitha këto pikëpyetje ngrenë dyshime të forta për një aferë të mundshme korruptive, për gatimin e të cilës mund të jenë përfshirë nivele të larta politike.

Një sherr dhe prona për fotovoltaike

Në mars të vitit 2021, deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi u përfshi në një konflikt fizik me biznesmenin Gjergj Luca. Pamjet e konfrontimit fizik u pasqyruan gjerësisht në media.

Një javë më pas Gjergj Luca deklaroi se e kishte falur deputetin demokrat Luçiano Boçi, ndërsa ky i fundit e pranoi vullnetin për paqe të biznesmenit. Arsyet e sherrit mbeten të paqarta.

Në gusht të vitit 2022, Bashkia Elbasan njoftoi se dy kompani, Rozafa shpk e biznesmenit Gjergj Luca dhe Doko shpk e biznesmenit Fatbardh Doko kishin rezultuar fituese në një garë (pa garë) të tenderit për dhënien me qira të disa pronave publike në administrim të bashkisë, e cila kontrollohet nga qeveria Rama, të cilës PD-ja i referohet si regjim.

Më konkretisht, biznesmeni Fatbardh Doko ka marrë me qira nga Bashkia Elbasan për 9 vite një sipërfaqe pronë publike prej 25 hektarësh në n/ngastren pyjore nr.31/a,32/ab, ekonomia pyjore “Zalli-Shkumbin”, për vendosje stacionesh dhe bazamente për panele fotovoltaike me qëllim prodhimin e energjisë, përmes një procedure ku ka qenë ‘konkurrent’ i vetëm.

Në të njëjtën zonë, ekonomia pyjore “Zalli-Shkumbin”, n/ngastra pyjore nr.31/a,32/ab, Gjergj Luca, përmes kompanisë Rozafa shpk, ka marrë me qira nga Bashkia Elbasan 10 hektarë tokë publike për të ngritur biznesin e fotovoltaikëve (pa garë). Pra, nga një sipërfaqe në tërësi prej 35 hektarësh, në të njëjtin vend, 25 hektarë i ka marrë Fatbardh Doko dhe 10 hektarë Gjergj Luca, pasi Luca u përlesh me Luçiano Boçin.

Biznesmeni Fatbardh Doko është krushku i deputetit të PD Luçiano Boçi. (Deputeti Boçi është vjehrri i Eri Dokos, i biri i Fatbardh Dokos).

(Fatbardh Doko dhe Luçiano Boçi)

A janë përplasur Fatbardh Doko dhe Gjergj Luca për ndarjen e pasurisë publike për të ngritur biznesin e fotovoltaikëve? A është ky motivi i sherrit mes Boçit dhe Gjergj Lucës në Labinot konfliti për fotovoltaiket?

Nuk mund të dalim në një konkluzion. Por, motivi i konfliktit fizik mbeti i paqartë, ndërsa palët falën njëri-tjetrin, duke evituar rrugën gjyqësore që mund të hidhte dritë rreth shkaqeve.

Miliona euro para publike dhe HEC-e

Fatbardh Doko nuk është bërë biznesmen pas krushqisë me deputetin e PD-së. Doko rezulton me një historik biznesi prej 30 vitesh. Gjithsesi, një pjesë të përfitimeve të parave dhe pasurive publike i nga degët e qeverisë Rama i ka konkretizuar gjatë krushqisë, ndonëse kjo nuk do të thotë si ka marrë nën ndikimin e deputetit, pjesë e një force politike në opozitë.

Rreth 6.5 milionë euro tendera, pa konkurrencë dhe me ofertë fituese gati sa fondi limit, Fatbardh Doko i ka marrë nga OST, një nëndegë e qeverisë, në bashkëpunim me biznesmenët Fatos Aliaj dhe Ardit Metaliaj. Ky i fundit dyshohet se është derivat i oligarkut Bashkim Ulaj, i skeduar si bankomat i Familjes Berisha, përfituesi më i madh i fondeve dhe pasurive publike me vlerë mbi 2 miliardë euro.

Biznesmeni Fatbardh Doko, përmes kompanisë Doko shpk, zotëron edhe kompaninë Energjia shpk, themeluar në vitin 2017, me kapital 5 milionë euro. Kjo kompani është përfituese e koncensionit për ‘ndërtimin, operimin dhe transferimin e Hidrocentralit Bushtrica 1’, me vendodhje në Qarkun Elbasan.

Nuk kemi informacione dhe as prova për elemente korruptive të këtij koncensioni, por gjithsesi është një tregues se Shqipëria nuk është një vend kaq i zi për klimën e biznesit sa pretendon PD-ja në deklarata publike.

Qeveria vihet në lëvizje për krushkun e Boçit për parkun tjetër fotovoltaik në Fier

Këshilli Kombëtar i Territorit me në krye Edi Ramën, në mbledhjen e datës 2 korrik 2024, përpos të tjerave, ka miratuar edhe vendimin për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Fier nga kompania Albania Power Core shpk. Dihet puna e mundimshme që qëndron pas një vendimi të tillë.

Projekti i impiantit fotovoltaik është hartuar nga kompania Doko shpk, me pronar Fatbardh Doko. Ky i fundit rezulton aksioner me 25 % në kompaninë zbatuese dhe përfituese të projektit.

Katër muaj më vonë vihet në lëvizje ERE me në krye Petrit Ahmetin, i cili lincencon kompaninë Albania Power Core, për prodhimin e energjisë elektrike.

Fatbardh Doko ka në pronësi edhe kompaninë e materialeve të ndërtimit DOALPAINT shpk, përfituese e fondeve publike, por në vlera modeste.