Kërcënoi se do vriste gjyqtarin që do dënonte nipin e tij, çfarë deklaroi para hetuesve xhaxhai i Elvis Shkambit

Kronike

Publikuar: 08/10/2025

Kërcënoi se do vriste gjyqtarin që do dënonte nipin e tij, çfarë deklaroi para hetuesve xhaxhai i Elvis Shkambit

Gjovalin Shkambi, xhaxhai i 30-vjeçarit Elvis Shkambi, autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, është arrestuar nga policia e Shkodrës pasi ka kërcënuar me vdekje një tjetër gjyqtar që po trajton çështjen e nipit të tij.

Sipas burimeve të Vizion Plus, Shkambi është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se ka vepruar nën ndikimin e gjaknxehtësisë.

Megjithatë, ai nuk ka mohuar konfliktet e gjata gjyqësore që, sipas tij, kanë rënduar mbi familjen prej më shumë se 30 vitesh për një çështje prone.

Shkambi ka lënë të kuptohet se proceset e zvarritura në sistemin gjyqësor kanë ndikuar edhe në gjendjen e nipit të tij, i cili më 6 tetor vrau me armë gjyqtarin Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit, në Tiranë, gjatë shpalljes së një vendimi.

Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Banush Koxhaj janë arrestuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e së hënës, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, palë në proces.

Ndaj 30-vjeçarit Elvis Shkambi rëndojnë tre akuza: e vrasjes së funksionarëve publikë kryer në bashkëpunim, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentativë, si dhe armëmbajtje pa leje. 

Po ashtu, edhe ndaj 56-vjeçarit Shkambi rëndon akuza e vrasjes së funksionarëve publikë e kryer në bashkëpunim si dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë pasi dyshohet se ka pasur dijeni për planin e nipit por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Roja e sigurisë akuzohet për shpërdorim detyre.