Vrasja e gjyqtarit Kalaja – Dhoma e Avokatisë merr vendimin: Bojkotojmë të gjitha proceset hetimore dhe gjyqësore

Aktualitet

Publikuar: 07/10/2025

Vrasja e gjyqtarit Kalaja – Dhoma e Avokatisë merr vendimin: Bojkotojmë të gjitha proceset hetimore dhe gjyqësore

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë ka njoftuar se ka vendosur të bojkotojë të gjitha proceset hetimore dhe gjyqësore, për çështjet penale, civile dhe administrative, në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 Tetor 2025.

Ky vendim vjen pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit. 

VENDIMI

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, përcjell me shumë shqetësim ngjarjen lidhur me vrasjen e Gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Z.Astrit KALAJA, si ngjarja më e rëndë dhe e paprecedentë e ndodhur ndonjeherë në sistemin e drejtësisë.

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatise të Shqipërisë vendosi njëzeri që të bojkotoj të gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqësore, për çështjet penale, civile dhe administrative, në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 Tetor 2025.

Ky bojkot është një thirrje për të gjithë opinionin, politikën shqiptare, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si dhe palët ndërgjygjëse, që të angazhohen me përgjegjësinë maksimale për sigurimin e jetës dhe shëndetit, si dhe të veprimtarisë dhe aktivitetit të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe avokatëve në ushtrimin e detyrave të tyre në realizimin dhe funksionimin e drejtësisë.

Ky vendim nuk i shtrin efektet e tij për masat e sigurimit në procesin penal.

Urdhërohen të gjithë kryetarët e Dhomave Vendore të Avokatisq për ekzekutimin e këtij vendimi. 

KRYETARI

Prof. Dr. Maksim HAXHIA