“Ndiej se do kemi probleme me këta se janë problematikë. Kam dhe çështje te tjera gjyqësore me ta”, mësohet të ketë thënë gjyqtari Astrit Kalaja para nisjes së seancës së djeshme në Gjykatën e Apelit, ku u qëllua me armë zjarri sapo dha vendimin për çështjen e familjes Shkambi.
Kujtojmë se gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri nga Elvis Shkambi, ndërsa u plagosën babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, palë në çështje me familjen Shkambi.
Policia ka arrestuar autorin Elvis Shkambi, xhaxhanë e tij, Gjon Shkambi dhe punonjësin e sigurisë të Apelit.
Ndërkohë, gazetarja Aida Topalli tregoi se dhe në seancën e datës 24 shtator kishte pasur debate me tone të ashpra mes Gjon Shkambit dhe trupës gjykuese prej tre gjyqtarësh, të kryesuar nga i ndjeri Astrit Kalaja.
“Në seancën e datës 24, ka pasur tone të larta mes gjyqtarëve të çështjes, ku trupa gjykuese prej tre gjyqtarësh kryesohej nga Astrit Kalaja. Në atë seancë pati debate me tone të ashpra mes Gjon Shkambit dhe të ndjerit. Madje, edhe ditën e djeshme, përpara se të futej në sallën e gjyqit, Astrit Kalaja i kishte thënë kolegëve që kishte takuar se “sot kam një gjyq me probleme”, duke qenë në dijeni të historikut të çështjes dhe agresivitetit të palës, pasi ishte vetë nga Shkodra dhe e njihte mirë situatën.
Ai e kishte shprehur këtë shqetësim në një farë mënyre, por nuk kishte kërkuar shërbime mbështetëse apo masa mbrojtëse. “Nuk është normale që në Gjykatën e Apelit – gjykatën më të rëndësishme në vend – të mos ketë as nivelin më minimal të sigurisë, në mes të qytetit. Një gjykatë ku mund të hyjë dhe të dalë kushdo duhet të ketë një nivel shumë më të lartë sigurie,” tha gazetarja Aida Topalli në Euronews Albania.