Biden kërkoi që raporti i CIA-s mbi lidhjet e familjes me Ukrainën të mos shpërndahej

Botë

Publikuar: 07/10/2025

Biden kërkoi që raporti i CIA-s mbi lidhjet e familjes me Ukrainën të mos shpërndahej

Dokumentet e reja të deklasifikuara nga CIA tregojnë se ish zëvendës presidenti Joe Biden në vitin 2015 i kërkoi agjencisë të mos shpërndante një raport inteligjence që dokumentonte shqetësimet e zyrtarëve ukrainas mbi lidhjet e familjes së tij me bizneset në vend, të cilat ata i konsideronin të lidhura me korrupsionin.

Raporti i inteligjencës, i deklasifikuar nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, përmbante të dhëna që tregonin se zyrtarët ukrainas shikonin marrëveshjet e supozuara të familjes Biden si “dëshmi të një standardi të dyfishtë brenda Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në çështjet e korrupsionit dhe pushtetit politik”.

Një zyrtar i lartë i CIA-s tha për Fox News Digital se një email i datës 10 shkurt 2016 tregon qartë se Biden “shprehu një preferencë të fortë që raporti të mos shpërndahej”.

Email-i, i cili ishte pjesë e PDB (Presidential Daily Brief), ishte i klasifikuar si “SECRET”.

Zyrtarët e inteligjencës vunë re se, në kohën e mbledhjes së informacionit, raporti do të kishte përmbushur kriteret për shpërndarje, por për shkak të kërkesës së Zyrës së Zëvendëspresidentit, raporti nuk u shpërnda jashtë CIA-s.

Një zyrtar i lartë i CIA-s e përshkroi këtë situatë si “jashtëzakonisht të rrallë dhe të papërshtatshme”, duke shtuar se është e pazakontë që Shtëpia e Bardhë të përfshihet në vendimet për shpërndarjen e një raporti inteligjence për arsye politike.

Raporti i deklasifikuar mban titullin: “NON-DISSEMINATED INTEL INFORMATION: Reactions of [REDACTED] Ukrainian Government Officials to the Early December Visit of Senior United States Government Official” dhe përmban detaje mbi reagimet e zyrtarëve ukrainas ndaj vizitave të zyrtarëve të lartë amerikanë.