E shkuara si ‘atentator’ e ish deputetit të PS Lad Kosta, dëshmi për afera me tendera dhe si i mbuloi pasuritë e Ben Ahmetajt, Sky Tower baza e pazareve. A do t’a amnistojë Altin Dumani? Hetimet për Tigrin shtyhen deri në dhjetor

Krim & Korrupsion

Publikuar: 06/10/2025

E shkuara si ‘atentator’ e ish deputetit të PS Lad Kosta, dëshmi për afera me tendera dhe si i mbuloi pasuritë e Ben Ahmetajt, Sky Tower baza e pazareve. A do t’a amnistojë Altin Dumani? Hetimet për Tigrin shtyhen deri në dhjetor

SPAK ka shtyrë për të pestën herë hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK ka caktuar si afat datën 23 dhjetor për mbylljen e veprimeve hetimore, kur pritet kopsitja e dosjes për Ahmetajn, i cili ndodhet në arrati prej më shumë se dy vitesh.

Prokurorët e çështjes janë kreu i SPAK-ut Altin Dumani dhe prokurorja Enkeleda Millonai. Dosja e korrupsionit të Arben Ahmetajt nxori në pah edhe një rreth biznesmenësh, shokë dhe klientë të Tigrit, të cilët ishin përfshirë në pastrimin e parave të korrupsionit që Ahmetajt po i investonte në pasuri të paluajtshme.

Disa nga këto biznesmenë, pasi u publikuan detaje nga dosja, u arrarisën jashtë vendit nga frika e arrestimit, duke u rikthyer më pas në Tiranë pasi morën siguri se rreziku ishte ende larg. Edhe pse hetimi ka provuar implikimin e disa prej tyre në pastrim parash, deri më tani, Altin Dumani nuk i ka ngarkuar me përgjegjësi penale.

Një nga biznesmenët protagonistë në dosjen e korrupsionit të Arben Ahmetajt është edhe ish deputeti i PS, Vladimir Kosta. Madje disa ditë para shpalljes në kërkim të Ahmetajt, Lad Kosta është thirrur në SPAK, ku është marrë në pyetje.

Sipas dosjes së SPAK, Lad Kosta rezulton se ka mbuluar disa pasuri të Arben Ahmetajt tek Shallvaret si dhe pastrim parash, me anë të kompanisë së ndërtimit Lani shpk. Në dosjen e SPAK-ut, Lad Kosta dallohet për lidhjet e forta klienteliste me Arben Ahmetajn dhe implikim për mbulimin e investimit të parave të korrupsionit nga Ahmetaj në pasuri të paluajtshme.

Deklarimit te rreme te shumes së investuar dhe burimit të saj, për ndërtimin e një pallati të ndodhur tek vendi i quajtur Shallvare, bashkë me shoqërinë “Lani” sh.p.k., shtetasit Vladimir Kosta dhe Ervin Manushi. Fshehjes se shumes 3 123 880.3 leke gjithsej, te paguar pergjate viteve 2019 dhe 2020, ne investimin e bere per rregullimin/punime ne ambjentin e brendshem AIRBN e cila ndodhet ne katin e dyte, te pallatit te ndertuar me bashkeinvestitoret shoqërinë “Lani” sh.p.k., shtetasit Vladimir Kosta dhe Ervin Manushi. Fshehjes se shumes 2 007 373 lekë gjithsej, te paguar pergjate viteve 2019 dhe 2020 nga shoqeria Integrated Technology Services sh.p.k. ne investimin e bere per rregullimin/punime ne ambjentin e brendshem AIRBN e cila ndodhet ne katin e dyte, te pallatit te ndertuar me bashkeinvestitoret shoqërinë “Lani” sh.p.k., shtetasit Vladimir Kosta dhe Ervin Manushi“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.

Mbetet për t’u parë nëse Altin Dumani do të ngrejë akuzë ndaj Vladimir Kostës për pastrim parash apo do t’a çojë dosjen në gjykatë pa përfshirë ish deputetin socialist.

E shkuara si ‘atentator’ e Lad Kostës

Lad Kosta ka qenë shofer i politikanit Dashamir Shehi, një kohësisht edhe pretendent për atentator. Në prill të vitit 2000, Lad Kosta është dënuar me gjobë për armëmbajtje pa leje. Kosta ka qëlluar në ajër me pistoletë pasi është konfliktuar me shtetasin Edmond Topi, në rrugën “Hoxhë Vogli” në Tiranë, më 16 qershor 1999.

Gjatë procesit gjyqësor, Kosta e ka pranuar plotësisht fajin dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar.

Dënimin për veprën jo të lehtë penale, Lad Kosta nuk e deklaroi në formularin e dekriminalizimit, duke kryer një tjetër vepër penale, atë të fasifikimit të dokumenteve. Pas verifikimeve, Prokuroria e Tiranës njoftoi në prill 2017 se i kishte kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve heqjen e mandatit për deputetin Vladimir Kosta.

Kosta, në atë kohë deputet, reagoi duke thënë se kishte harruar për t’a deklaruar dënimin në vitet 2000. Ai u shpreh se nuk e kuptonte se pse Prokuroria po merrej me këtë çështje.

Kisha harruar një gjobë 10.000 lekë të marrë në vitin 2000. Ishte një gabim njerëzor dhe jo fshehje të dhënash. Më pas është çdo gjë e deklaruar. KQZ e mori një herë në shqyrtim formularin tim dhe nuk konstatoi shkelje. Nuk e kuptoj ku do të dalë Prokuroria me këto flluska sapuni”, shkroi Kosta.

Kostandin Gjata: Kosta më kërkoi 53 milionë lekë për tenderin

Biznesmeni Kostandin Gjata ka akuzuar biznesmenin Vladimir Kosta në vitin 2016 se i kishte kërkuar 53 milionë lekë me pretendimin se kishte ndikuar që Gjata të fitonte një tender me kompaninë e tij “Rosi Shpk” për rregullimin e urës së fshatit Vllah Psitoller.

“Ai më kërkoi 5.3 milionë lekë për disa punime që sipas ekspertëve, vlera e tyre nuk shkonte as 500 mijë lekë. Unë refuzova t’ia jap pasi ishte e padrejtë. Punimet e urës mbetën pezull për një kohë të gjatë. Deputeti Vladimir Kosta pretendon se me ka favorizuar për të fituar këtë tender, pro kjo nuk është e vërtetë” shprehet biznesmeni. Dëshmia e biznesmenit kaloi pa u verifikuar nga Prokuroria.

Nga përplasja në përqafime me Ben Ahmetajn

Vladimir Kosta ka pasur një histori konfliktuale me Arben Ahmetajn, që kulmoi në vitin 2016, me vendimin e Kostos për t’u larguar nga grupi parlamentar i PS-së. 

Nuk më ke njohur kurrë kontributin gjatë punës  time në partinë socialiste dhe kjo për arsye banale,nga që isha në sherr me beniaminin tënd AHMETAJ  ! Sigurisht do mbash anën e tij…. Gjithmonë je treguar mosmirënjohës, nënvleftësues e i pasjellshëm ndaj meje. Për këtë gjë ka ndikuar mjaftueshëm te ju duke hedhur helmin ndaj meje ai “pesha pupël”, Arben Ahmetaj. Kjo ka të bëjë me  faktin se sa i pazoti je të vlerësosh ata që punojnë për ty”, shkruante mes të tjerave Kosta, në letrën e largimit, duke iu drejtuar Ramës.

Sipas Kostës, Ahmetaj i fliste keq Ramës për të dhe Rama e besonte. Kosta tregoi se si Rama i kishte kërkuar që t’i jepte 110 euro një personi që Kosta e quante ‘Jevgu i Beratit’, duke iu referuar shtetasit Pajtim Daja, i cili nga drejtonte TV Kuçova. Dhe Kosta ia kishte dhënë.

Në atë kohë reagoi ish kreu i OSHEE, Ardian Çela, i cili shprehej se Kosta i kishte kërkuar që të fitonte tender dhe e etiketonte ish deputetin si një nga zyrtarët që nuk donte miratimin e reformës në drejtësi.

Shpreh keqardhje të thellë për prononcimin e deputetit Vladimir Kosta, por nuk jam i keqardhur që nuk i’a kam plotësuar kërkesat e tij absurde për të fituar në rrugë të paligjshme tenderë të shpallur nga OSHEE. Fatkeqësisht nuk më vjen e papritur kjo shfaqje vulgariteti vetediskreditues që flet vetë për nivelin e Vladimir Kostës. Sulmin e tij në vigjilje të finalizimit të Reformës në Drejtësi e marr si kompliment për kompaninë dhe për drejtimin tim me ligjshmëri dhe transparencë. Reforma në Drejtësi ende pa u miratuar po tregon se çfarë vlere të madhe ka për të ndarë njerëzit që duan shtet, drejtësi, rregulla nga ata që duan të vazhdojnë në rrugën e vjetër të përfitimeve të paligjshme“, tha Çela.

Ndërkaq, disa javë pas letrës vrerë të Kostës, situata u zbut dhe shumë shpejt në mes hynë pazaret. Ahmetaj dhe Lad Kosta pozuan bashkë të qeshur dhe si ‘fratelo’.

Nga leximi i dosjes së SPAK konstatohet se Kosta dhe Ahmetaj nga armiq janë kthyer në ‘fratelo’, duke nisur një bashkëpunim shpesherë në shkelje të ligjit.

Madje, nga dosja prej 300 faqesh të SPAK-ut për korrupsionin 20-vjeçar të Arben Ahmetajt, konstatohet se baza kryesore e Ahmetajt për të bërë pazaret dhe dallaveret me paratë dhe pronat publike ishte Sky Tower, pallati në ish Bllok i biznesmenit Vladimir Kosta, ish deputet i PS-së.

Raporti mes Ahmetajt dhe Mond Begos

Në shtator të vitit 2016, Arben Ahmetaj, në atë kohë ministër i Financave dhe Ekonomisë, ka firmosur privatizimin e pronës së njohur si ish-sera, te Unaza e Re, në të cilën biznesmeni Mond Bega, me disa emra dhe i dënuar për trafik droge, po ndërton një kompleks pallatesh.

Drejtori i Pronës Publike, Endrit Duçka, pjesë e kartelit të Arben Ahmetajt, ka deklaruar se privatizimi i serave dhe magazinave te Unaza e Re është bërë për llogari të Maliq dhe Hamdi Pinarit, si trashëgimtar.

Në asnjë rast ministria e financave nuk ka lidhur apo privatizuar asnjë pronë me emrin Edmond Bego, ky person nuk figuron në asnjë dokument”, tha Duçka, i cili është dhëndri i oligarkes Vilma Nushi, ortake në biznes e pastrim parash me Ahmetajn me kompaninë Hermes.

Po si qëndron e vërteta?

Arben Ahmetaj, me kunatin e tij Klodian Mene që e kishte caktuar drejtor i privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë dhe Endrit Duçkën drejtor i Pronave Shtetërore, kanë kryer privatizimin e pronës publike për interesa të Mond Begos.

Së pari, pagesa për privatizimin e pronës publike me vlerë 1.5 milionë euro rezulton se është bërë nga kompania Inerte Ekspres. Administrator dhe pronar i kompanisë së ndërtimit Inerte Ekspres është pikërisht Edmond Bega, allias Manoli Bego, allias Sajmir Sina, allias Belul Gjatari, i dënuar për trafik droge, por që e ka shlyer dënimin dhe konsiderohet i rehabilituar.

Mond Bega mbuloi vilën e Tigrit në Palasë

Në dosjen e SPAK për korrupsionin e Arben Ahmetajt dhe rolin e tij si bosi i inceneratorëve, thuhet se biznesmeni Mond Bega, me kompaninë e tij Inerte Ekspres është përdorur nga Arben Ahmetaj për kamuflimin e vilës së tij nr. 73 në Palasë, me vlerë mbi 1 milionë euro, produkt i parave të korrupsionit.

Pasi Ahmetaj privatizon pasurinë publike në shtator 2016 për interes të Mond Begos, ka kaluar në emrin e kompanisë së tij vilën e Arben Ahmetajt në Palasë.

Në prill 2021, Mond Bega, përmes kompanisë së tij Inerte Ekspres, i ka shitur fiktivisht vilën nr. 73 Arben Ahmetajt në Palasë, shtetases Elda Dinaj, shoqe e Albina Mançkës, ish bashkëshortja e Arben Ahmetajt.

Prokurorët e çështjes Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai kanë arritur në konluzionin se Arben Ahmetaj ka përdorur Mond Begon për kamuflimin e vilës 73 në Palasë, me vlerë mbi 1 milionë euro. Por, prokurorët nuk janë thelluar më tej tek bashkëpunimi i Arben Ahmetajt me Mond Begon për tjetërsimin dhe përvetësimin e pasurive dhe parave publike, një praktikë kjo që Arben Ahmetaj e ka zbatuar edhe me klientë dhe shokë të tjerë të tij.