Doli pronar i 50 mijë m2 në Kanionet e Osumit, kush është ‘Rrumi i Skraparit’, Dashi Satko dhe a do t’a godasë SPAK-u? Falsifikime me kushërinjtë në Kadastër, 26 pasuri të dyshimta dhe transaksione qindra mijëra euro

Investigim

Publikuar: 03/10/2025

Doli pronar i 50 mijë m2 në Kanionet e Osumit, kush është ‘Rrumi i Skraparit’, Dashi Satko dhe a do t’a godasë SPAK-u? Falsifikime me kushërinjtë në Kadastër, 26 pasuri të dyshimta dhe transaksione qindra mijëra euro

SPAK goditi dje një grup kriminal me në krye Aleksandër Lahon, i njohur si Rrumi i Shijakut, i cili kishte tjetërsuar 254.300 m² tokë në zonën bregdetare të fshatit Shetaj në Durrës, përmes dokumenteve false. Sipas dosjes së kopsitur nga BKH-ja, ky grup ka vepruar me heqjen e fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku kanë qenë të regjistruara prona të zërit kadastral “Pyll” dhe “Pa frut” dhe zëvendësimin e tyre me fletë të reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje, ku pasqyronin të regjistruara pasuri të zërit kadastral “Arë”.

Madje, njerëzit e drejtuar nga Aleksandër Laho kanë bërë edhe prodhimin e dokumenteve tërësisht të falsifikuar të praktikës së rivlerësimit të pasurisë, me qëllim hapjen e rrugës për të kaluar në fazën tjetër që ishte transferimi i pronësisë përmes aktit të shitjes apo aktit të dhurimit, etj.

SPAK ka sekuestruar pronat e grabitura, të cilat do t’i kthehen shtetit ose pronarëve të ligjshëm. Por, Shqipëria ka shumë si Rrumi i Shijakut, të cilët duke korruptuar apo kanosur zyrtarët e publikë kanë tjetërsuar pronat private dhe publike. Duket gati e pabesueshme, por një ‘Rrum’ nga Skrapari ka dalë pronar i një sipërfaqe prej 50 mijë m2 tokë pjesë e Kanioneve të Osumit, në terren zall, lum, breg dhe rrugë, ndërsa në letra pyll.

Bëhet fjalë për një personazh të dyshimtë i quajtur Dashi Satko, i cili ashtu si ‘Rrumi i Shijakut’, dyshohet se është përfshirë në tjetërsimin e sipërfaqeve pronë publike pjesë e Monumentit të Natyrës “Kanionet e Osumit”, përmes falsifikimit të dokumenteve, në bashkëpunim me zyrtarë publikë, drejtues të Kadastrës, që janë kushërinjtë e tij.

Në vitin 2022 më erdhi një person i quajtur Dashi Satko dhe më tha se vendi ku kisha ngritur konstruksionin e drurit ishte pronë e tij. Më erdhi me policinë dhe më proceduan për zaptim prone. Si u bë private?! Nëse është privat, unë as nuk shkoj më. As atje dhe as do lahem në lumë”.

Kjo është një pjesë e dëshmisë së qytetarit Andon Lushaj nga Skrapari. Dëshmia përputhet me fakte dhe prova. 50 mijë m2 tokë që prekin monumentin e natyrës kanë kaluar në emrin e Dashi Satko. I dyshimtë është edhe fakti që Satko është pronar i vetëm!

Bëhet fjalë për zonën e quajtur Ura e Zabërzanit. Nëse BKH bën një verifikim të thjeshtë, do të zbulojë se në certifikatë prona rezulton pyll, ndërsa në terren është zall, lumë dhe ujë! Të gjitha veprimet e paligjshme janë kryer në vitin 2022. Zalli dhe lumenjtë i përkasin shtetit. Është e vendosur me ligj.

Pronat janë tjetërsuar, u ka ndryshuar statusi me dokumente false, duke u emërtuar S1 dhe S2, ku pjesa S1, zonë e mbrojtur dhe Monument Natyre, ka kaluar në pronësi të shtetasit Dashi Satko. Pronat (pjesa S1) megjithëse është në pjesën e sipërme, rezulton se edhe një pjesë të veçuar që shkon deri në mes të lumit.

Të gjitha provat tregojnë për një grup të strukturuar kriminal. Ka dyshime të forta se është operuar në të njëjtën formë siç janë tjetërsuar pronat në Gjirin e Lalzit, por Dashi Satko ka shkuar më tej, duke u bërë pronar i Monumeteve të Natyrës.

Dy vite më parë, Dashi Satko iu përgjigj pyetjes së Fiks Fare se si ka mundësi që ka dalë ai pronar i një zone Munument Natyre. Dashi Satko tha se kishte dokumentet se ishte pronar.

S’i kam thënë unë që është pronë private! Unë i kam qit dokumentet se ku dhe është përcaktuar me ekspert se ku ka qenë dhe është i dukshëm, nuk është me të thënme! Kjo gjë është me dokumente zyrtare. Çfarë dokumentesh ka ai zotëria? Nuk i kam thënë unë, i ka thënë shteti! Unë kam çuar policinë atje. Kam çuar prokurorinë, kanë shkuar ekspertët dhe kanë thënë që kjo që ka bërë ai është në pasurinë time, kaq! Kanionet e Osumit” pronë private?! “Vëllai im, me një monument natyre që i del pronari le ta zgjidhin, le të më japin lekët m’u ata që ma kanë dhënë pronën”.

Një tjetër provë për SPAK dhe BKH është qëndrimi kontradiktor i Kadastrës në raport me tjetërsimin e pronave, pasi ka pasur një hetim për këtë skandal, ndonëse qesharak. Kadastra ka pranuar se Dashi Satka është pronar, trashëgimtar, i lumit, një çmenduri kriminale e padëgjuar. Më pas Kadastra thotë se pasi e ka bërë Satkon pronar të lumit, ia ka kthyer sërish lumin shtetit.

26 pasuri të paluajtshme dhe qindra mijëra euro transaksione të dyshimta

‘Pronari’ i Kanioneve të Osumit Dashi Satko rezulton gjithashtu pronar dhe bashkëpronar i 26 pasurive të paluajtshme. Në mënyrë të dyshimtë, Satko është bërë pronar i vetëm i 273 mijë m2 tokë (pyll) në Koprencë të Skraparit.

Po në të njëjtën zonë, në Koprencë të Skraparit, Dashi Satko rezulton pronar i dy sipërfaqeve të tjera pyll, 50 mijë m2 dhe 223 mijë m2. Duket sikur Kadastra ka punuar vetëm për Dashi Satkon.

Troje, apartamente dhe ndërtesa figurojnë në emrin e Dashi Satkos nga Berati në Skrapar. Pa historik biznesi, ‘pronari’ i Kanioneve të Osumit figuron me një pasuri me vlerë miliona euro me burime tejet të dyshimtë.

Dashi Satko ka disa llogari në banka të nivelit të dytë në Tiranë. Përmes këtyre llogarive ka kryer transaksione qindra mijëra euro. Tërheqjet dhe derdhjet cash rezultojnë vlera qindra mijëra euro, pa dokumente justifikuese. Edhe pse të dyshimta, transaksionet nuk janë raportuar tek Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Ashtu si Fatime Kryemadhi, e cila çonte paratë e pista me çanta në banka të nivelit të dytë, ashtu edhe Dashi Satko rezulton se ka lëvizur dhe futur në banka të nivelit të dytë para me çanta, me burim të errët.