“Takimi” i Ramës në Aruba – Pse opozita nuk vë mend nga skenarët me ‘babale’?

Kryesore

Publikuar: 30/09/2025

“Takimi” i Ramës në Aruba – Pse opozita nuk vë mend nga skenarët me ‘babale’?

Një rrëfim hipotetik i gazetarit italian Nelo Trokia duket se po shndërrohet në një flluskë sapuni nga opozita shqiptare dhe eksponentë të saj.

Në vend që të merret me problemin real të pastrimit të parave përmes kullave në Tiranë, PD dhe njerëzit e saj kanë zgjedhur të vijojnë të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: përsëritjen e shpifjeve me shpresë se do të bëhen të besueshëm.

Vetë gazetari italian, që i referohen përfaqësuesit e opozitës, ka theksuar se i është referuar dokumenteve, përgjimeve dhe hetimeve gjyqësore të organeve ligjzbatuese europiane, duke përshkruar biseda të personazheve të caktuar të botës së krimit që flisnin për një takim të tillë, mirëpo një gjë e tillë është shumë larg përfshirjes reale të Ramës në atë takim.

Opozita nuk është e lirë të merret me thelbin e problematikës së pastrimit të parave në Shipëri, që vjen edhe nëpërmjet ndërtimit të kullave, sepse, nëse do t’i shkonte deri në fund një problemi të tillë, do të dilnin lidhjet e saj me këta ndërtues. 
Në mungesë të kësaj, asaj i duhet të shpikë një fabul, e cila është e bukur për një libër apo një kronikë të gazetareske, por as nuk e ndihmon opozitën, as nuk arrin të shndërrohet në kauzë dhe të bëhet e besueshme për njerëzit.

Ironia qëndron tek fakti se edhe vetë gazetari italian, në intervistat e tij, ka qenë i kujdesshëm, sepse ai nuk ka pretenduar se mban në dorë “të vërtetën absolute”. Përkundrazi, ai ka insistuar se është detyra e institucioneve dhe e politikës të japin përgjigje.

Dhe këtu lind pyetja thelbësore: pse opozita nuk po i përdor instrumentet parlamentare dhe ligjore për të kërkuar hetime serioze, por mjaftohet me propagandë për konsum politik?

Në fund të ditës, të vërtetat e mëdha nuk fshihen në Aruba, por në qendër të Tiranës, në kulla që rriten pa hesap dhe ku miliona euro të dyshimta pastrohen në sy të të gjithëve, por që, fatkeqësisht, kjo opozitë nuk i shikon.

Heshtja e saj është e qartë se pse ndodh, sepse ajo është e marrë peng nga interesa klanore, familjare dhe ekonomike.
Nëse brenda saj ka njerëz me integritet dhe të besueshëm, duhet të dalin dhe t’u thonë të vërtetën shqiptarëve.
Sa për skenarë me babale, opozita është e ngopur deri në fyt dhe përfundmi është parë shumë herë se si vete. /Tema