Biznesmenin italian e ka ‘vrarë’ gjyqtari Engert Pëllumbi, liroi nga burgu Eqerem Braçin pasi plagosi dy persona, dënoi Tahirin që e denoncoi, i llogariti 10 ditë burg Vangjush Dakos

Krim & Korrupsion

Publikuar: 27/09/2025

Biznesmenin italian e ka ‘vrarë’ gjyqtari Engert Pëllumbi, liroi nga burgu Eqerem Braçin pasi plagosi dy persona, dënoi Tahirin që e denoncoi, i llogariti 10 ditë burg Vangjush Dakos

Personi që shihni në foto është 44-vjeçari Edoard Sarchi, sipërmarrësi italian me biznes në Shqipëri, i cili u gjet pa shenja jete, rreth orës 00:30 në anë të rrugës në vendin e quajtur Dilan mes Nivicës dhe Salarisë, në Tepelenë.

Ai ndodhej për gjueti së bashku me Eqerem Braçin dhe dy djemtë e tij, Daniel dhe Gazmend Braçi, me precedentë penalë, si dhe me një person të katërt. Burime për mediat bëjnë me dije se në trupin e viktimës është konstatuar një plagë plumbi në këmbë, në arterien kryesore.

Në vendin e ngjarjes uniformat blu gjetën dy automjete, ku një prej tyre ishte e viktimës. Për shkak të mungesës së shenjave të plumbave në mjet, grupi hetimor dyshon se ndaj shtetasit italian nuk është qëlluar me breshëri.

Edoardo Sarchi zhvillon aktivitet tregtar në Shqipëri prej të paktën 25 vitesh. Ai rezulton administrator dhe një prej pronarëve të shoqërisë “Tegola Edilcentro”, me seli në Laprakë të Tiranës dhe me aktivitet prodhim tullash, etj. Ai dyshohet se e frekuentonte vazhdimisht zonën e Salarisë në Tepelenë për gjueti.

Policia shoqëroi në komisariat, për të marrë në pyetje si persona që mund të kenë dijeni për krimin Eqerem Braçi së bashku me dy djemtë e tij, Daniel dhe Gazmend Braçi, dhe personin e katërt, me të cilët viktima ishte për gjah.

Burime bëjnë me dije se Daniel, Gazmend dhe Eqerem Braçi janë marrë 4 herë në pyetje, fillimisht nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, Prokuroria, Specialistët e Krimeve të Rënda e në fund përsëri nga OPGJ. Kjo marrje në pyetje është bërë për shkak se të tre këta persona kanë dhënë dëshmi kontradiktore me njëri-tjetrin. Ndërkohë personi i 4-t nuk është thirrur ende për tu marrë në pyetje.

Fillimisht këta persona kanë thënë se e kanë gjetur italianin Edoardo Sarchi të vdekur në anë të rrugës, e më pas kanë thënë se e kanë gjetur të plagosur dhe u vdiq në duar, ndërsa versioni i tjetër është se ka qenë së bashku për gjah dhe se dikush u kishte prerë rrugën dhe u ka qëlluar me armë zjarri.

Burime bëjnë me dije se grupi hetimor ende nuk e ka përcaktuar vendin e saktë se ku ka ndodhur krimi, pasi ka dyshime se italiani mund të jetë vrarë në vend tjetër dhe të jetë sjellë më pas tek vendi ku u gjet.

Ndërkohë trupi i viktimës është dërguar në Tiranë ku po kryet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes si dhe për të kuptuar nëse plaga në kofshë është shkaktuar nga qitja me armë zjarri apo është shkaktuar nga diçka tjetër.

Ndërkohë për ekspertizë janë dërguar dhe dy armë gjahu për të kuptuar nëse me këto armë është bërë qitje dhe a kanë lidhje me plagën e konstatuar në trupin e viktimës.

Aktiviteti kriminal i Eqerem Braçit dhe roli i drejtësisë

Eqerem Braçi ka qenë nënkryetar i Komunës Levan. Në vitin 2014 ka plagosur shtetasit Klodian dhe Besnik Aliaj. Pas plagosjes, jo vetëm i shpëtoi drejtësisë, por në 2015-ën ai u emërua drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë.

(Eqerem Braçi)

Gjyqtari që liroi nga burgu në vitin 2014 Eqerem Braçin, i akuzuar për plagosje të rëndë me dashje, është Engert Pëllumbi, sot gjyqtar i Apelit të GJKKO. I njohur për arsyetimet e çuditshme të vendimeve, Engert Pëllumbi i llogariti 10 ditë burg Vangjush Dakos, i akuzuar për shpërdorim detyre, ndërsa mars 2014 liroi nga burgu Eqerem Braçin për plagosje të dyfishtë.

(Engert Pëllumbi)

Vendimi i Engert Pëllumbit për lirimin nga burgu të Eqerem Braçit u denoncua nga Saimir Tahiri, asokohe ministër i Brendshëm. Tahiri i kërkoi KLD-së ndëshkimin e gjyqtarit Pëllumbi dhe disa gjyqtarëve të tjerë për vendime absurde dhe që betonizonin kulturën e pandëshkueshmërisë së krimit, duke liruar të arrestuarit nga policia për krime të rënda.

Policia e Shtetit në datë 02.03.2014,  ora 23:00 ka arrestuar në flagrancë shtetasin Eqerem Braçi, i dtl. 29.05.1964. Arrestimi i këtij shtetasi  u bë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe armëmbajtje pa leje, parashikuar nga neni 88 e 278/4 i Kodit Penal, pasi ne datë 02.03.2014 rreth orës 14:00, ka plagosur në Levan, Fier  me  armë zjarri  shtetasin Besnik Myteris Alliaj e Klodjan Artan Aliaj, i datëlindjes 10.11.1996. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në Burg”. Gjykata e Shkallës së Parë Fier me vendim nr. 250 datë 06.03.2014 të gjyqtarit Engert Pëllumbi ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie””, denonconte Tahiri.

Në vend që KLD-ja e famshme të ndëshkonte gjyqtarin Pëllumbi, ishte gjyqtari Pëllumbi që ndëshkoi Tahirin që e denoncoi. Në shkurt të vitit 2022, Apeli i GJKKO dënoi me 3 vite e 4 muaj burg Saimir Tahirin për shpërdorim detyre. Vendimi i shumëdiskutuar për dënimin e ish ministrit të Brendshëm është marrë nga një trupë gjykuese, e kryesuar pikërisht nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Ndërkaq, Eqerem Braçi vijoi karrierën politike dhe kriminale. Në vitin 2019, Eqerem Braçi, tashmë me dy djemtë e tij Daniel dhe Gazmend Braçe, u përfshi në një ngjarje të rëndë, në Spitalin e Fierit.

Djali i tij Daniel Braçi i mori armën nga brezi policit Arjan Mema në urgjencë duke qëlluar ndaj Aleksandër Zhapës, me të cilin ishin konfliktuar më herët jashtë një lokali në Levan, bashkë me djemtë e Zhupës. Polici, të cili Daniel Braçe, i mori armën, është dhunuar më pas nga Eqerem Braçe dhe djali tjetër i tij, Gazi Braçe.

Në Urgjencën e spitalit një prej shoqërueseve të të dëmtuarve i ka marrë armën e zjarrit nga brezi punonjësit të policisë, i cili po ndihmonte për të futur të plagosurit në Urgjencë dhe ka plagosur me armë zjarri një prej familjarëve të palës tjetër, shtetasin A.ZH. Në ndihmë të punonjësve të Policisë kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie duke kanë bërë bllokimin e dy shtetasve E.B. e D.B. dhe shoqërimin në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë për veprime të mëtejshme”, shkruhej në njoftimin e policisë.

Rrëfimi i policit: Më morën armën, Eqeremi dhe Gazmendi më goditën

Punonjësi i policisë Arjan Mema ka deklaruar se, së bashku me kolegun e tij Fabio Memeti, kanë shkuar në spitalin rajonal Fier, pasi kishte shkuar një person i plagosur. Në momentin që kanë shkuar në spital ka ardhur shtetasi i dëmtuar me një automjet me targa AA 770 IL, ku personi kishte njolla gjaku në pjesën e barkut. Në momentin që ka qenë duke marrë të dhënat e shoferit të mjetit, ka ardhur një automjet tjetër tip “Peugeot”, me targa AD 629 T, nga ku ka dalë një person i dëmtuar dhe është futur në spital. Pas kësaj vjen edhe një makinë e tretë dhe në momentin që ka qenë duke marrë të dhënat për personin e parë, në korridorin e spitalit ka dëgjuar zhurma, ku 8-10 persona po konfliktoheshin me njëri-tjetrin fizikisht.

Ai është futur në mes dhe u ka kërkuar palëve që të qetësoheshin, por njëri nga këta persona, i gjinisë mashkull, rreth 180 cm i gjatë, me flokë të zinj, pa mjekër, me bluzë me ngjyrë të bardhë, i ka tërhequr armën nga brezi dhe ia ka marrë dhe më pas ka bërë qitje me armë në drejtim të një shtetasi, me të cilin po konfliktohej. Ai ia ka drejtuar armën përballë drejt trupit. Personi që ka marrë dhe ka qëlluar me armën e shërbimit, e ka hedhur më pas në dysheme dhe ka tentuar që të largohej nga spitali.

Polici Mema thotë në rrëfimin e tij se ka ndjekur personin nga pas dhe e ka kapur në oborrin e spitalit, por në këtë moment dy shtetas të tjerë, që quhen Eqerem Braçe dhe djali i tij Gazmend dhe Daniel, e kanë kapur duke e goditur policin dhe duke e penguar që të mbante Danielin që qëlloi me armë. Ky person u largua me një automjet tip “Mitsbubishi” në drejtim të spitalit të fëmijëve. Pasi ky person është larguar, Eqeremi, së bashku me djalin e tij e kanë ndërprerë dhunën fizike ndaj efektivit të policisë

Eqerem Braçe shpëtoi sërish

Kur plagosi dy shtetas në 2014, Eqerem Braçi u shtrua në spital si i sëmurë me diabet, për t’i shpëtuar burgut. Për ngjarjen e 2019 u shtrua sërish në spital për probleme me tensionin. Çuditërisht Eqerem Braçi u përjashtua nga përgjegjësia penale. Eqerem Braçi me dy djemtë e tij janë të dyshuar për vrasjen e biznesmenit italian. Nëse do të shpallen fajtorë, biznesmenin nuk e ka vrarë Braçi, por drejtësia që nuk ka vepruar ndaj tij.