Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy u shpall fajtor dhe u dënua me 5 vite burg për “lejimin e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për të vepruar me qëllim marrjen e mbështetjes financiare” nga regjimi libian.
Ai u lirua nga akuzat për korrupsion dhe pranimin e mallrave të vjedhura.”Kjo padrejtësi është një skandal”, reagoi ish-kreu i shtetit francez, i shpallur fajtor për komplot kriminal në çështjen e financimit të Libisë, raporton Le Monde.
I dënuar me pesë vjet burg, Nicolas Sarkozy deklaroi para kamerave se ajo që ndodhi në gjykatë “është jashtëzakonisht serioze për sundimin e ligjit” dhe “besimin që mund të kemi te drejtësia”.
“Unë jam dënuar për dyshimin se kam lejuar dy kolegë të mi të dalin me idenë e financimit të paligjshëm të fushatës sime.Do të marr përsipër përgjegjësitë e mia. Do t’u bindem thirrjeve të gjykatave. Dhe nëse ata duan absolutisht që unë të fle në burg, do të fle në burg. Por me kokën lart. Jam i pafajshëm “, deklaroi më pas Nicolas Sarkozy.
“Kjo padrejtësi është një skandal. Nuk do të kërkoj falje për atë që nuk kam bërë “, shtoi ai përpara se të njoftonte se do të apelonte.
“Ndoshta do të më duhet të paraqitem me pranga para Gjykatës së Apelit. Ata që më urrejnë kaq shumë mendojnë se po më poshtërojnë. Ajo që kanë poshtëruar sot është Franca, është imazhi i Francës. Dhe nëse dikush i ka tradhtuar francezët, nuk jam unë, është kjo padrejtësi e pabesueshme që sapo keni parë.
Nuk kam frymë hakmarrjeje, as urrejtjeje, por le ta kuptojnë dhe ta dëgjojnë të gjithë: Do të luftoj deri në frymën time të fundit për të vërtetuar pafajësinë time të plotë “, përfundoi ai.