Forcat ruse i kanë shënjestruar ekipet e emergjencës ukrainase me sulm të dyfishtë vdekjeprurës, duke i plagosur dy punonjës të emergjencës në rajonin verior të Çernihivit, thanë zyrtarët ukrainas të dielën.
Sulmi gjatë orëve të hershme të së dielës ishte hera e dytë brenda një jave që forcat ruse goditën zjarrfikësit në këtë rajon kur at po reagonin ndaj një sulmi të mëparshëm me raketë ose dron, tha administratori ushtarak rajonal, Vyacheslav Chaus, shkruan REL.
Gjatë natës, Rusia lëshoi gati gjashtëdhjetë dronë mbi 16 lokacione në të gjithë Ukrainën, një nga sulmet më të vogla në javët e fundit, sipas zyrtarëve ushtarakë.
Në muajt e fundit, sulmet me dronë dhe raketa të Rusisë ndaj Ukrainës kanë përfshirë qindra predha, shpesh duke mbingarkuar mbrojtjen ajrore ukrainase.
Vala e sulmeve gjatë natës erdhi pak pas reagimit të ashpër të vendeve të NATO-s ndaj një shkeljeje të hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia një ditë më parë, si dhe pas shkeljeve të fundit me dronë rusë në Poloni dhe Rumani.
Estonia tha më 18 shtator se tre avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore dhe qëndruan aty për 12 minuta, duke i detyruar vendet e tjera të NATO-s t’i ngrenë avionët e tyre në ajër menjëherë.
Kremlini e mohoi incidentin, duke thënë se avionët kishin fluturuar mbi ujërat ndërkombëtare.