Deputeti demokrat, Xhelal Mziu, ka reaguar sërish në rrjete sociale në lidhje me shpërthimin me tritol në banesën e tij në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Xhelal Mziu thekson se tritoli i mafies politike nuk e ndal ndërsa shton se nuk ishte vetëm një sulm ndaj tij, por një mesazh politik i errët, një akt frike i mafies së pushtetit ndaj fjalës së lirë.
Sakaq, në fund të postimit në rrjete sociale, Xhelal Mziu shprehet se ky krim e forcon edhe më shumë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë.
“Tritoli i mafies politike, nuk na ndal! Sot u vendos tritol në shtëpinë time. Ky nuk është thjesht sulm ndaj meje, por një mesazh politik i errët, një akt frike e mafies së pushtetit ndaj fjalës së lirë.
Ata mendojnë se me tritol do të na mbyllin gojën, por gabojnë rëndë! Ne nuk trembemi, nuk tërhiqemi, përkundrazi, ky krim na forcon edhe më shumë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë.
Opozita dhe Shqipëria nuk do të gjunjëzohet përballë krimit dhe korrupsionit”, shkruan ai.