Betohen në Presidencë, Qeveria ‘Rama 4’ fillon zyrtarisht punën! Pritet mbledhja e parë në Kryeministri

Politikë

Publikuar: 19/09/2025

Betohen në Presidencë, Qeveria ‘Rama 4’ fillon zyrtarisht punën! Pritet mbledhja e parë në Kryeministri

Qeveria ‘Rama 4’ ka nisur zyrtarisht detyrën. “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave”. Duke shqiptuar këtë fjali dhe me dorën në Kushtetutë, kryeministri Edi Rama e me radhë pas tij, të 16 ministrat, u betuan sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke shënuar kështu nisjen e mandatit të katërt për socialistët.

Ashtu siç pritej, për ministren e parë virtuale në botë, Diella, nuk ka një dekret nga Presidenti Begaj. Emri i saj vetëm është në nenin 2 të dekretit të parë të Presidentit, ku përveçse emëroi Edi Ramën, kryeministër, specifikoi se ushtron edhe përgjegjësinë “për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”.

Betimi i kabinetit qeveritar vjen pas kaosit një ditë më parë në Kuvend, ku ministrat u votëbesuan në seancën që zgjati vetëm 25 minuta. Pas mbledhjes, siç tashmë kryeministri Edi Rama e ka bërë traditë, do të mbajë edhe mbledhjen e parë në Kryeministri.