Hysen Kadiu, kandidati që doli i pari në primaret e Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, por që u la jashtë listës nga Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të Mesila Dodës për të mos qenë pjesë e grupit parlamentar të PD-së.
Në një reagim, Kadiu theksoi se me këtë vendim, demokratët kanë sot një deputet më pak nga ata që u zgjodhën më 11 maj. “Mesila Doda ka vendosur të vetëshpallet deputete e pavarur, edhe pse ishte në listën e sigurt të PD,” shkruan ai.
Sipas tij, ky veprim nuk është i papritur, pasi “Doda dhe Shpëtim Idrizi kanë bërë të njëjtin akt edhe në parlamentin e shkuar, duke votuar sipas interesit të tyre dhe të qeverisë, por jo në krah të demokratëve”.
Kadiu shton se problemi nuk lidhet vetëm me individë të tillë, por me “besimin e pamerituar dhe pozicionimin e tyre në lista të sigurta, duke lënë jashtë ata demokratë që e meritojnë dhe që kanë luftuar për të përfaqësuar të vërtetën në parlament”.
“PD ka sot një deputet më pak nga ata që u zgjodhën më 11 maj. Mesila Doda ka vendosur të vetëshpallet deputete e pavarur edhe pse ishte në listën e sigurt të PD.
Nuk ka asnjë surprizë nga ky veprim. Ajo dhe Shpëtim Idrizi kanë bërë të njëjtin akt edhe në parlamentin e shkuar. Kanë votuar sipas interesit të tyre dhe të qeverisë dhe asnjëherë nuk janë rreshtuar në front me demokratët. Ndoshta po t’u jepet mundësia do e bëjnë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Sepse problemi nuk është Mesila, Shpëtimi apo modeli i tyre në politikë. Problemi qëndron tek besimi i pamerituar, tek vlerësimi dhe pozicionimi i tyre në lista të sigurta, duke privuar nga kjo e drejtë ata demokratë që e meritojnë dhe kanë luftuar për të përfaqësuar të vërtetën dhe jo hilet në parlament.” – shkruan Kadiu.